Connect with us

Hi, what are you looking for?

La Liga

Atletico “reflekton” për të ardhmen e Simeones, del emri i pasuesit të mundshëm

Atletiko e Madridit monitoron Pochettino-n. Situata ka ndryshuar vërtet shumë te klubi “bardhekuq” i kryeqytetit spanjoll dhe nënkampionët e dy edicioneve të fundit në Primera Division tani kanë rrëshqitur drejt e në vendin e gjashtë, me plot 13 pikë më pak se sa rivalët e urryer të Realit, të cilët më në fund për herë të parë pas një periudhe prej afërsisht dy vjet e gjysmë po ia dalin mbanë për të qëndruar mbi “los colchoneros”.

Si për ironi të fatit edhe fundjavën e kaluar Atletico humbi derbin me Realin, megjithëse për hir të së vërtetës skuadra kishte mungesa të mëdha dhe për momentin ekipi “rojiblanco” ka grumbulluar vetëm 1 pikë në 3 ndeshjet e fundit të kampionatit spanjoll. Ka mjaftuar kjo situatë që “The Telegraph” në Angli të aludojë për një interesim të Atleticos së Madridit për Maurizio Pochettinon, i cili është i papunë që prej nëntorit të kaluar, kur Daniel Levy vendosi ta shkarkojë nga stoli i Tottenham.

Vitet kalojnë shpejt, e dhjetorin e kaluar Diego Simeone mbushi plot tetë vjet në krye të Atletico-s së Madridit, sidoqoftë “magjia” është prishur dhe pavarësisht sukseseve të jashtëzakonshme, duket sikur 49-vjeçari nga Buenos Airesi e ka kaluar me kohë zenitin. Futbolli modern është i pamëshirshëm dhe në rast të një krize rezultatesh si gjithmonë janë trajnerët ata që paguajnë faturën e dështimit. Pak a shumë të njëjtën histori përjetoi edhe vetë Pochettino në Londër te “spurs”, megjithëse krejt ndryshe nga Simeone bashkëkombësi i tij nuk ka fituar qoftë edhe një trofe të vetëm në karrierë si trajner.

Në aspektin moral do të ishte sa e padrejtë po aq edhe e pandershme për të shkarkuar një trajner si Diego Simeone, që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këto tetë vjet për klubin “rojiblanco”, duke fituar pothuajse gjithçka. Pothuajse, sepse përveç Kupës, kampionatit apo dhe Superkupës në Spanjë, “El Cholo” ia ka dalë për të fituar vërtet nga 2 herë si Europa League-n ashtu edhe Superkupën Evropiane, por sidoqoftë 49-vjeçari numëron gjithashtu edhe dy finale të humbura në Champions, pikërisht me rivalët e përjetshëm të Realit në vitet 2014 e 2016, finale të famshme të humbura në “Da Luz” dhe “San Siro” e në të dy rastet pas kohës shtesë.

Gjithsesi po në të njëjtat pozita ishte edhe 47-vjeçari nga Murphy, që vetëm gjashtë muaj përpara se të shkarkohej nga Tottenham, humbi finalen e madhe me Liverpoolin në Champions, në “Wanda Metropolitano” në duelin me Liverpulin e drejtuar nga Jurgen Klopp. Pra nga njëri argjentinas te tjetri, drejtuesit pretendojnë të tjera rezultate, sidomos pasi shpenzuan në verë plot 126 milionë euro për t’i marrë në muajin korrik Benfica-s vetëm një lojtar si Joao Felix. Padyshim kjo është etapa më e vështirë në karrierë për El Cholo-n, në timonin e “los colchoneros”.

Sikur të mos mjaftonte pozita e vështirë në Primera Division dhe shkëputja e dy superfuqive Real – Barca, në Kupën e Mbretit Atletico bëri një figurë tepër të shëmtuar duke u eliminuar pas kohës shtesë, që në fazën e 1/16 nga një klub modest i nivelit të tretë siç është Cultural Leonesa, ndërsa në Champions, Simeonen e pret gati-gati një mision i pamundur, duke marrë në konsideratë faktin që përballë trajneri argjentinas këtë herë do të ketë pikërisht kampionët në fuqi dhe klubin më të mirë në glob të vitit 2019, Liverpoolin e gjermanit Jurgen Klopp.

El Cholo është një njeri i veçantë dhe me goxha karakter, e ndër vite ka treguar që ka një personalitet shumë të fortë, por ndoshta edhe për vetë Simeonen është momenti për të reflektuar, për t’u tërhequr për pak kohë, për të pushuar apo për të mbledhur forcat dhe për të filluar gjithçka te një klub tjetër, gjë që në Kontinentin e Vjetër është shndërruar në modë këto vitet e fundit, te trajnerët me emër, sepse pak a shumë e kanë bërë të gjithë, dikush më herët e dikush më vonë, për më tepër ofertat nuk kanë munguar kurrë dhe Diego ka qenë gjithmonë i pari në listën e dëshirave të Abramovich-it, për shkak të karakterit të ngjashëm me Mourinho-n.

“The Telegraph” siguron se Atletiko është duke marrë në konsideratë gjithmonë e më shumë opsionin Pochettino, pasi nevojitet një ndryshim dhe 48-vjeçari italian Andrea Berta që mbulon rolin e drejtorit sportiv të klubit prej dy vjetësh e gjysmë është një admirues i flaktë i Pochettino-s. Vetë ish-trajneri i “gjelave” të Londrës në një intervistë të dhënë vetëm pak kohë më parë shpjegoi se prioritet për të ka gjithmonë Premier League-a, por 47-vjeçari nga Murphy nuk përjashton edhe një transferim të mundshëm në Primera Division, në një klub elitar.

Ndonëse nuk ka fituar asgjë me Tottenham-in, Pochettino është vlerësuar shumë për punën e bërë me “spurs” dhe për ta joshur dishepullin e Marcelo Bielsa-s deri pak muaj përpara se të shkarkohej nga “gjelat”, ishin vënë në garë klube si Manchester United, Real Madrid apo dhe Paris SG. Zëra ka patur edhe te klube si Juventus, për shkak të origjinës torineze të të parëve të tij apo qoftë edhe te Barca, por dihet respekti që gëzon Poch te pjesa tjetër e kryeqendrës së Katalunjës, Espanjoli, ku ka kontribuar si lojtar, kapiten apo dhe trajner.

Pochettino humbi garën për titull në Angli, me Leicester City-n, por gjithsesi trajneri argjentinas vlerësohet për rritjen e lojtarëve të tillë si Christian Eriksen, Dele Alli, Heung-Min Son, e mbi të gjitha të Harry Kane-t, që e shndërroi në sulmuesin më të fortë të futbollit anglez, madje me trajnerin argjentinas “uragani” është shpallur dy herë si golashënuesi më i mirë i Premiershipit.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...