Atletiko Madrid ka arritur të mposhtë me rezultatin 2-0, Sevilla-n, në një takim mjaft interesant, luajtur në ‘Vicente Calderon’. Miqtë e drejtuar nga trajneri Berrizzo zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë, duke dominuar ndjeshëm edhe në kontrollin e topit, por në fund ishin djemtë e Simeones ata që morën 3 pikët.
Pjesa e parë përfundoi në barazim 0-0, ndërsa belgu Carrasco kaloi vendasit në avantazh, menjëherë sapo filloi pjesa e dytë. Në minutën e 69, ishte francezi Antoine Griezmann, që pas një asisti të marrë nga Filipe Luis, dyfishoi shifrat dhe vulosi fitoren e Atletikos.
Me këtë fitore, ekipi i Simeones parakalon Sevilla-n në renditje dhe pozicionohet në vendin e dytë me 14 pikë, një më pak se Barcelona kryesuese. Gjithsesi, duhet theksuar se katalanasit kanë zhvilluar një ndeshje më pak dhe do të zbresin në fushë në mbrëmje, në transfertën ndaj Gironas.
