Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

ATP Pekin/ Zverev fiton lehtë ndaj 19-vjeçarit Auger-Aliassime

Alexander Zverev vazhdon të mbajë të gjalla shpresat për t’u bërë tenisti i parë gjerman që fiton turneun e Pekinit, teksa mundi thjesht në vetëm dy sete adoleshentin e talentuar kanadez Felix Auger – Aliassime. Në fushën kryesore të Qendrës Kombëtare të Tenisit, në kryeqytetin kinez, numri 6 i botës e theu 19-vjecarin nga Quebec-u plot katër herë në shërbim, duke mbyllur gjithçka në pothuajse një orë lojë.

Numri 20 i klasifikimit ATP rezistoi deri në shifrat 2-2, megjithatë në vazhdim Sascha Zverev i rrëmbeu shërbimet në game-n e pestë dhe të nëntë, për të përfunduar setin hapës 6-3. Pesë muaj më herët në Principatë, në fushë dheu, tenisti me origjinë ruse triumfoi 6-1, 6-4, ndërsa këtë radhë fitorja ishte akoma më e thellë. Edhe në setin e dytë, pas barazimit 1-1, Alexander Zverev koleksionoi pesë game rresht, për të mbyllur gjithë takimin me rezultatin 6-3, 6-1. Në fazën çerekfinale 22-vjeçari nga Hamburgu do të përballet me tenistin nga Shtetet e Bashkuara Sam Querrey, që mposhti me shumë vështirësi shtat-shkurtërin argjentinas Diego Schëartzman.

Në fakt kjo ishte edhe ndeshja më e bukur e ditës, për vetë mënyrën se si rrodhën ngjarjet. 27-vjeçari nga Buenos Airesi kryesoi shpejt 3-0, duke e thyer dy herë në servis tenistin kalifornian, sidoqoftë numri 55 i botës rekuperoi, duke mbyllur llogaritë e setit hapës me shifrat 7-2 në tie break. Në setin pasardhës Querrey që ditën e hënë do të festojë 32-vjetorin, u shkëput që në start 2-0, gjithsesi pikërisht kur tenisti nga San Francisco po shërbente vetë për të përfunduar ndeshjen në rezultatin 5-4 Schwartzman e theu në servis, për të fituar më pas setin 8-6 në tie break.

Tenisti amerikan që nuk fiton një turne ATP prej më shumë se dy vjetësh nuk u demoralizua dhe e mblodhi veten në setin final, e falë një break-u në game-n e katërt ia doli mbanë për të marrë edhe setin përcaktues me rezultatin 6-3, duke mbyllur krejt takimin në 2h 19′ gjithsej. Më herët në takimin hapës John Isner siguroi fitoren e dytë në harkun e shtatë muajve ndaj britanikut Dan Evans. Numri 19 i renditjes ATP i anuloi fillimisht dy mundësi për break 29-vjeçarit nga West Midlands në game-n e nëntë të setit hapës, ndërsa më pas shtatlarti nga Karolina e Veriut hyri në ritmin e tij të zakonshëm në servis për të fituar ndeshjen në vetëm dy sete, me shifrat 7-6, 7-5.

Në fazën çerekfinale, në pjesën e poshtme të shortit gjiganti amerikan do të masë forcat me numrin 7 të botës Stefanos Tsitsipas. Tenisti grek nuk e filloi mirë sfidën, teksa humbi setin hapës 6-4, gjithsesi 21-vjeçari nga Athina e përmirësoi ndjeshëm lojën, për të përmbysur disavantazhin, duke eliminuar për rrjedhojë kampionin në fuqi, tenistin gjeorgjian Nikoloz Basilashvili me rezultatin 4-6, 6-3, 6-2 në diçka më tepër se dy orë lojë.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...