Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

ATP World Tour Finals shkon për gjermanin Zverev

Alexander Zverev siguroi arritjen më të madhe në karrierë, teksa fitoi titullin përmbyllës të sezonit, ATP World Tour Finals, duke mposhtur në finale numrin 1 të botës Novak Djokoviç. 31-vjeçari serb që kishte regjistruar 14 fitore radhazi ndaj tenistëve të dhjetëshes së parë në rruzull u mund në vetëm dy sete dhe Sascha u bë kështu i pari tenist gjerman që triumfon në një aktivitet të tillë, që nga koha e Boris Becker-it, 23 vjet më parë.

Që në shkëmbimet e para 21-vjeçari nga Hamburgu nuk tregoi aspak shenja frike, duke sulmuar vazhdimisht 5 herë fituesin e këtij kompeticioni. Nole e kishte mposhtur dy herë në harkun e vetëm një muaji tenistin me origjinë ruse, madje për herë të fundit ditën e mërkurë, ku për hir të së vërtetës Djokoviç fitoi setin hapës, ndonëse regjistroi vetëm tre goditje fituese gjithsej, për më tepër duke i anuluar dy mundësi për break numrit 5 të botës. Ashtu si në fazën e grupeve edhe këtë radhë tenisti serb u tregua vërtet shumë pasiv në lojë, duke e mbyllur setin e parë me vetëm katër goditje fituese, por krejt ndryshe nga ç’ndodhi në atë duel këtë herë Sascha nuk u impresionua aspak dhe ruajti qetësinë e nevojshme pikërisht në pikët më të rëndësishme.

Për rrjedhojë Alexander Zverev përfitoi nga mënyra e lojës që kishte përzgjedhur Djokovic si dhe gabimet e shumta të numrit 1 të botës, për ta ndëshkuar Nolen plot tre herë radhazi në servis. Në fakt pasi humbi setin e parë dhe u thye në shërbim që në game-n hapës të setit pasardhës Djokoviç reagoi me një kundër-break, megjithatë ishte thjesht një shkëndijë, që erdhi si rezultat i dy gabimeve në shërbim të tenistit gjerman. Me shumë personalitet Zverev jo vetëm që administroi më së miri epërsinë e krijuar por gjithashtu e theu me break edhe në game-n e fundit, për të mbyllur gjithë takimin me rezultatin e thellë 6-4, 6-3, në vetëm 80′ lojë.

Djokoviç që u paraqit në finale pas 35 fitoreve në 37 ndeshjet e fundit, gjatë gjithë javës në O2 Arena jo vetëm që nuk kishte humbur asnjë set, por gjithashtu krenohej me plot 36 turne rresht pa u thyer në servis, gjithsesi Sascha ia rrëmbeu shërbimet katër herë, duke dominuar shkëmbimet për pjesën më të madhe të kohës. Kështu Zverev barazoi bilancin ndërmjet tyre në 2-2 dhe duke llogaritur edhe dy fitoret në fazën e grupeve përfitoi nga turneu përmbyllës i tetë tenistëve më të mirë të sezonit një cek të majmë prej plot 2,5 milionë dollarësh, pa harruar edhe 1.300 pikët e grumbulluara që e ngjisin tenistin nga Hamburgu sërish në vendin e katërt, pozicion ku në fakt përfundoi edhe sezonin e vitit 2017.

Një meritë e padiskutueshme si në aspektin taktik ashtu edhe në atë psikologjik natyrisht i takon trajnerit nga Çekosllovakia e dikurshme Ivan Lendl, 5 herë fitues i këtij turneu njësoj si Djokoviç dhe Pete Sampras, më saktë ish-trajnerit të Murray-t, të cilin Zverev e afroi në staf që në muajin gusht, për të patur sukses në turnetë Slam.

Për Sascha-n ky ishte titulli i katërt sezonal, pas turneve të fituar në Munich, Madrid dhe Washington, vit të cilin tenisti gjerman e mbylli me më shumë fitore se çdo tenist tjetër, 58, ndërkaq për Nolen kjo ishte humbja e dytë në harkun e vetëm dy javëve, pas disfatës së pësuar në finalen e Mastersit të Parisit me 22-vjeçarin moskovit Karen Khachanov, gjithsesi Djokoviç që në muajin qershor ra deri në vendin e 22 në klasifikimin e përgjithshëm tashmë krenohet të paktën me mbylljen e sezonit në vendin e parë në renditjen botërore, arritje të cilën tenisti nga Serbia e siguron për herë të pestë në karrierë.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...