Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Australia Open/ Kualifikohet Nadal, gjen Cilic në çerekfinale

Dita e 7 në Australian Open rezervoi takimet e pjesës së sipërme të shortit, të vlefshme për fazën e 1/8 dhe kurioz është fakti se që të gjitha ndeshjet u mbyllën në katër sete, duke mundësuar kalimin për në fazën çerekfinale të tenistëve favoritë. Të vetmin titull në Melbourne Park Rafael Nadal e ka fituar 9 vjet më parë, sidoqoftë duke pasur parasysh kalendarin numri 1 i botës këtë herë ka mundësi vërtet shumë të mira për të shkuar të paktën deri në finale.

12 muaj më parë Rafa u ndal pikërisht në pengesën e fundit nga Roger Federer, kështu që 31-vjecarit spanjoll i nevojitej patjetër kualifikimi mes 8 më të mirëve, për të ruajtur statusin e numrit 1 në klasifikimin ATP. Këtë herë tenisti iberik pati ndeshjen e parë të vërtetë dhe për rrjedhojë Rafael Nadal humbi setin e parë në edicionin e 106 të Australian Open, me tenistin argjentinas Diego Schëartzman.

31-vjecari nga Majorka qëndroi në Rod Laver Arena përafërsisht 4 orë, për të thyer qëndresën e numrit 26 të botës me rezultatin 6-3, 6-7, 6-3, 6-3. Diferencën në këtë takim e bëri qetësia dhe eksperienca e sportistit të famshëm spanjoll, pasi të dy tenistët patën nga 18 mundësi për break, por Nadal u tregua shumë më i saktë, duke i rrëmbyer turnin e shërbimit tenistit argjentinas plot shtatë herë, ndërsa Schwartzman e theu Rafën në servis në vetëm tre raste.

Në çerekfinale Nadal do të ndeshet me numrin 6 të botës Marin Cilic, që në Margaret Court Arena mposhti tenistin spanjoll Pablo Carreno – Busta. Numri 11 i botës e filloi mirë ndeshjen duke fituar setin hapës 7-2 në tie break, gjithsesi tenisti kroat siguroi tre setet në vazhdim, dy prej të cilëve pikërisht në tie break, për të garantuar kualifikimin për në çerekfinale.

Takimi më i fortë ishte ruajtur për në fund, në fushën qendrore ku Grigor Dimitrov dhe Nick Kyrgios zhvilluan një ndeshje të madhe, që i kishte të gjitha. Ndeshja zgjati tre orë e gjysmë dhe tenisti bullgar, që renditet i treti në planet, fitoi tre nga katër setet e ndeshjes në tie break, duke eliminuar idhullin vendas.

Tenisti bullgar tregoi karakter të jashtëzakonshëm dhe ndonëse me publikun kundër Dimitrov fitoi pikët më të rëndësishme të sfidës, çka e konfirmon edhe vetë rezultati përfundimtar i pikëve, 157-156 në favor të 26-vjeçarit ballkanas. Në çerekfinale Dimitrov do të masë forcat me tenistin britanik Kyle Edmund, që triumfoi ndaj veteranit italian Andreas Seppi. Në Hisense Arena numri 49 i botës përmbysi disavantazhin e setit të parë, për të siguruar kështu pjesëmarrjen e tij të parë në një çerekfinale të turneve Grand Slam.

Krejt ndryshe nga meshkujt te femrat ishte radha e pjesës së poshtme të shortit. Vazhdon e qetë rrugën e saj drejt trofeut të parë Slam numri 2 i botës Caroline Wozniacki, që në fushën qendrore humbi vetëm 3 game gjithsej ndaj sllovakes Magdalena Rybarikova. Në turin tjetër tenistja daneze do të përballet me numrin 39 të renditjes WTA, spanjollen Carla Suarez Navarro që në Rod Laver Arena mposhti 8-6 në setin final estonezen Anett Kontaveit.

Çerekfinalja tjetër do të luhet ndërmjet numrit katër të botës Elina Svitolina dhe belges Elise Mertens. Tenistja ukrainase humbi vetëm tre game gjithsej ndaj cekes Denisa Allertova, ndërsa në Margaret Court Arena numri 37 në klasifikimin WTA eliminoi 7-6, 7-5 kroaten Petra Martic.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...