Kombëtare

Aventurë për t’u harruar në Brazil për Paulo Sousa, Polonia tenton “Topin e Artë” për stolin

As gjashtë muaj nuk ka zgjatur aventura e Paulo Sousa-s në Brazil. Trajneri portugez, i cili drejtoi kombëtaren e Polonisë në periudhën janar 2021-dhjetor 2021, teksa më parë ka punuar edhe si trajner i Fiorentinës, Bordeaux, Leicester City apo Basel, është shkarkuar nga drejtuesit e Flamengos.

Drejtuesit e kuqezinjve nuk kanë duruar më pas humbjes së fundit në kampionat ndaj Bragantinos. Flamengo ka grumbulluar vetëm 12 pikë në dhjetë javët e para, duke u renditur në vend të 14-të.

Ndërkohë, drejtuesit e Federatës Polake të Futbollit janë zemëruar shumë nga humbja 6-1 përballë Belgjikës në Nations League. Edhe pse kaluan të parët në avantazh falë të përhershmit Robert Lewandowski, polakët zhvilluan një ndeshje për t’u harruar në Bruksel.

Drejtimi i skuadrës që është pjesë e grupit C në Katar 2022 bashkë me Argjentinën, Arabinë Saudite dhe Meksikën, i është besuar përkohësisht Czeslaw Michniewicz.

Disfata tenistike ka ndikuar që te Polonia t’i rikthehen edhe njëherë pistës Fabio Cannavaro. Ish-mbrojtësi italian, i cili ka drejtuar e fituar në Kinë si trajner, bisedoi gjatë me drejtuesit e Federatës Polake, por në fund nuk pati akord.

Tani Polonia tenton dhe beson se do e bindë italianin e fundit që ka fituar “Topin e Artë” që të marrë drejtimin e Robert Lewandowskit me shokë, që në Kupën e Botës synojnë kalimin e grupit.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency