Vala Superliga

Bakaj i bashkohet kampionëve të Dritës

Kampioni i saposhpallur i Vala Superligës, Drita e Gjilanit vijon punën për të përforcuar skuadrën, në prag te paraeliminatoreve të Ligës së Kampionëve, ku do të marrë pjesë.

Afrimi më i fundit në merkato është ai i portierit shqiptar Edvan Bakaj, që sezonin e fundit mbrojti portën e Lirisë së Prizrenit. Portieri 31-vjeçar do të konkurrojë me Leotrim Rexhepin për një vend titullari, me këtë të fundit që zhvilloi një sezon mjaft të mirë.

Gjithsesi ambiciet e gjilanasve janë të mëdha, ndaj duan që të sigurojnë katërkëndëshin ekstrem me dy portierë cilësorë. Edvan Bakaj ka një eksperiencë mjaft të madhe në shumë skuadra shqiptare, si Partizani, Laçi, Besa e Kavajës, Dinamo, Tirana dhe së fundi Liria e Prizrenit.

“I lumtur për këtë mundësi. I lumtur për këtë aventurë të re me aromë kampionësh. Në karrierën time kam kaluar shumë sprova dhe gjithmonë kam luftuar për gjithçka. Falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar, mbështetur dhe kontribuar për çdo hap në karrierën time. Sot dhe nesër, forca Drita!”, shkroi në Facebook portieri tiranas, menjëherë pas nënshkrimit me klubin gjilanas.

To Top