Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Bakaj tregon eksperiencën bjelloruse dhe “skanon” Superligën shqiptare

Elis Bakaj pati një vit të suksesshëm në aventurën e tij të re me Shakhtar Soligorsk, në Superligën bjelloruse, duke qenë lojtari i tretë me më shumë gola dhe asiste në kampionat.

Këto paraqitje e kanë bërë Bakajn, lojtarin më të preferuar të tifozërisë së skuadrës së tij, të cilët e votuan atë si futbollistin më të mirë të ekipit, për sezonin që sapo u mbyll. Në një intervistë dhënë për Supersport, 31-vjeçari shprehu kënaqësinë për çmimin e marrë.

“Për një sportist, që të votohet si lojtari më i mirë i vitit i ekipit të tij, nga tifozët, është diçka shumë e bukur dhe një sodisfaksion shumë i madh për mua, për të vazhduar më tej, që të jap maksimumin me këtë ekip”, tha Bakaj.

Për Bakajn, i cili ka udhëtuar jo pak në karrierën e tij, ambientimi në Bjellorusi nuk ka qenë i vështirë. Ai ndihet mirë te skuadra e tij dhe pikërisht për këtë arsye, ka rinovuar edhe kontratën me Shakhtar Soligorskun.

“Gjërat shkuan ashtu siç klubi e priste nga unë, sepse ata bënë një investim të madh për mua dhe prisnin t’u shpërblehej. Jam ambientuar shumë mirë, ndihem shumë mirë këtu, ashtu si edhe familja ime, kështu që jo më kot rinovova edhe kontratën. Kam pasur edhe oferta të tjera, por ndihem mirë dhe i respektuar nga të gjithë këtu, ndaj bashkë me familjen time, vendosëm të qëndrojmë”, deklaroi sulmuesi kryeqytetas.

Të jesh pjesë e Shakhtar Soligorsk në kampionatin bjellorus, siç pranon edhe vetë sulmuesi 31-vjeçar, do të thotë të luftosh në çdo sezon për objektiva të rëndësishëm.

“Këtu çdo sezon synohet titulli, pavarësisht se është e vështirë, sepse dihet që Bate Borisov ka një ekip shumë të mirë. Megjithatë ne kemi luajtur dy herë me ta këtë sezon dhe një herë kemi humbur e një herë kemi fituar, por kemi parë që nuk kanë asnjë diferencë me ne, në fushën e lojës”, tregon sulmuesi.

Edhe pse larg, Bakaj e ka në mendje Kategorinë Superiore dhe sidomos skuadrat ku ka luajtur më herët, teksa ka dhënë edhe një koment të shkurtër për kampionatin e zhvilluar nga Tirana dhe Partizani, në ndeshjet e dy fazave të para.

“Normalisht që nuk më vjen mirë që një ekip si Tirana të jetë në një gjendje të tillë, të vështirë, megjithatë futbolli i njeh edhe këto situata, ndaj njerëzit duhet të mësohen me faktin se tashmë nuk luhet më me fanellë, por në fushë dhe çdo skuadër ka të drejtë të pretendojë. Sot në futboll fiton ai që investon më shumë para, por unë si ish futbollist i Tiranës uroj vetëm që skuadra të rikthehet sa më shpejt në nivelet që ka qenë për vite me radhë. Partizani është një nga pretendentët kryesorë për të marrë titullin, bashkë me Kukësin. Të kuqtë kanë lojtarë cilësorë në ekip dhe ky mund të jetë viti i duhur për t’u rikthyer te titulli kampion”, tha Bakaj për Supersport.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...