Ballkani vazhdon të “rrëmbejë” rezultate pozitive. Pas suksesit në Conference League në transfertë ndaj Sivasspor, takim që e mbylli me rezultatin 3-3, skuadra nga Suhareka ka triumfuar edhe në kampionat përballë Malishevës, në takimin e raundit të 10-të.
Ballkani fitoi me rezultatin 2-1, me golat që për kampionët në fuqi të Kosovës i realizuan nga Krasniqi në minutën e 17’ dhe nga Zyba në minutat shtesë të pjesës së parë. Teksa për miqtë realizoi Agon Xhaka në minutën e 80’.
Pas këtij takimi Ballkani renditet në vend të dytë me 21 pikë, 3 më pak se Drita e vendit të parë, por ekipi nga Suhareka numëron dy ndeshje më pak, ndërsa Malisheva qëndron në vend të 9 me vetëm 8 pikë të grumbulluara në 10 ndeshje.
Gjilani ka ngecur në përballjen në transfertë ndaj Ferizajt, me takimin që u mbyll me rezultatin 1-1. Golin për vendasit e realizoi kroati Panadic, ndërsa miqtë gjetën barazimin me golin e Arbnor Ramadanit. Pas raundit të 10-të Gjilani renditet në vend të tretë me 15 pikë, teksa Ferizaj qëndron në vend të fundit me 8 pikë.
Llapi triumfoi me rezultatin 3-2 ndaj Drenicës dhe i “rrëmbeu” vendin në renditje. Skuadra vendase gjeti fitoren falë golave të Prognit, Riveras dhe Selimit, ndërsa për miqtë shënuan Gavazaj dhe Zeka.
Pas këtij takimi Llapi ngjitet në vend të pestë me 12 pikë, por me 9 ndeshje të luajtura, ndërsa Drenica bie në vend të 6 me 11 pikë dhe me 10 ndeshje të zhvilluara.
