Ballkani mposht 2-1 Gjilanin në supersfidën që i dha start javës së 16-të të IPKO Superligës së Kosovës dhe tashmë kryeson i vetëm kampionatin në kuotën e 34 pikëve. Në Suharekë me përkrahjen e zjarrtë të tifozëve vendas skuadra e Ismet Munishit shfrytëzoi dy momente pasigurie në prapavijën e Gjilanit duke shënuar dy gola të shpejtë në harkun e 23 minutave të para me talentin Blend Baftiu që zhbllokoi shifrat dhe sulmuesin 21-vjeçar Jetmir Topalli që dyfishoi rezultatin. Gehard Progni riktheu Gjilanin në ndeshje me golin e tij në minutën e 37-të, por në pjesën e dytë pavarsisht përpjekjeve të të dyja skuadrave sidomos asaj të miqëve rezultati mbeti i pandryshuar. Traversa i tha golit të 3-të të Ballkanit, ndërkohë që minutat e fundit ishin një monolog i skuadrës së Mezanit në portën e Ballkanit por fati dhe portieri kundërshtar nuk lejuan prekjen e rrjetës. Për t’u përmendur që trajneri i Ballkanit Ismet Munishi edhe njëherë tjetër u largua nga fusha me karton të kuq pasi u ndëshkua në minutën e 85-të. Në javën e ardhshme atë të 17-të, Ballkani do të sfidojë në transfertë Vushtrinë ndërkohë që Gjilani do të presë në shtëpi Prishtinën.
