Në tribunën e boshatisur të stadiumit “Flamurtari” të Vlorës, përpara ndeshjes Flamurtari-Luftëtari u shfaq një banderolë në mbështetje të presidentit të Kosovës, ku shkruhej “Hashim Thaçi, Vlora krenohet më ty”.
Megjithatë kjo është bërë shkak që sfida të fillojë me disa minuta vonesë, pasi gjirokastritët e cilësuan si banderolë me përmbajtje politike dhe nuk pranuan të zbresin në fushë, pa u hequr më parë ajo pankartë.
Pas ndërhyrjes edhe të delegatëve të ndeshjes, banderola u hoq dhe takimi filloi normalisht, ndërsa Administratori i Flamurtarit Sinan Idrizi dha shpjegimet e tij për mikrofonin e Supersport, në lidhje me episodin në fjalë.
“Është një idiotësi. Nëse krenohen me një shqiptar dhe Drenicën e Azem dhe Shote Galicës, qenka një turp për këta. Nuk e kuptoj sjelljen e tyre. Ne kemi solidarizëm, pasi Hashim Thaci është hero kombëtar. Janë thyer ndjenjat e popullit serb? Po nuk e hoqëm këtë banderolë, plas Lufta e Tretë Botërore? Është situatë e rëndë politike? Ne nuk kemi marrë krahë për asnjë, nuk gjej arsye për të shpjeguar veprimin e drejtuesve të Luftëtarit. Hashim Thaçi është personalitet për Vlorën. Ka ardhur në stadium dhe na ka mbështetur, ndaj nuk e kuptoj ku është problemi. Kemi vendosur me mirëkuptimin e delegatëve të FSHF-së, ta heqim banderolën për Hashim Thaçin”, u shpreh Sinan Idrizi për Supersport.
