Kukësi dhe Liria barazuan 3-3 mes tyre në testin miqësor të zhvilluar pasditën e kësaj të Hëne në Pezë Helmes, që ishte dhe ndeshja e parë për Milinkovicin që në momentin kur mori drejtimin e Kukësit. Zeqiri dhe Shameti munguan në këtë përballje për verilindorët për shkak të problemeve fizike, ndërsa spikati mbi të gjitha Sidnej Guri që realizoi dy gola. Për Gurin u kthye dhe në një sfidë në distance me Korenicën e Lirisë, që realizoi të 3 golat për skuadrën e Bledi Shkëmbit, duke i dhënë fillimisht dhe një epërsi të dyfishtë prizrenasve përpara se Naser të shënonte nga pika e bardhë për kampionët e Shqipërisë. Pa u mbyllur pjesa e parë, Guri shënoi dy herë, një herë me kokë dhe më pas pas një veprimi të bukur mes dy kundërshtarëve duke përmbysur rezultatin përpara pushimit. Në pjesën e dytë, trajneri Milinkovic largoi 10 lojtarë menjëherë duke hedhur në fushë shumë emra të rinj. Liria përfitoi duke shënuar dhe golin e 3-të sërish me Korenicën me ndeshjen që u mbyll në barazim, por që nuk la plotësisht të kënaqur trajnerin Milinkovic që dhe në miqësore dëshiron të fitojë.
“Rezultati është gjithmonë i rëndësishëm për ne dhe donim të fitonim por aktiviziuam shumë lojtarë të rinj dhe për më tepër nuk jemi ende gati fizikisht. Sa i përket mungesës së Zeqirit dhe Shametit kishin disa probleme fizike dhe nuk donim të rrezikonim. Për ne është e rëndësishme që ata të jenë të riaftësuar kur të nis kampionati. Unë jam këtu sepse dëshiroj të fitoj të 3 trofetë me Kukësin dhe ndaj është e rëndësishme t’i kem futbollistët gati në momentin e duhur. Sa i përket zërave për kontratën time me Luftëtarin, kjo cështje është në Fifa dhe besoj se Fifa do ta zgjidhë këtë cështje.”
Bledi Shkëmbi gjithashtu priste më shumë nga ekipi i tij ndërsa vlerësoi dhe paraqitjen e Korenicës.
“Në total në miqësore ekipi ka bërë shumë mirë por në këtë ndeshje prisja më tepër. Sa i përket Korenicës është një futbollist që ka shumë cilësi, por deri në fund të kampionatit besoj se do të zbuloni shumë futbollistë të tillë te Liria.”
