Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Barazim mes tensionit në Ballsh, Xhixha i jep fitoren Laçit

Duhej të ishte një ndeshje normale futbolli, e vlefshme për javën e 20 të Kategorisë Superiore, ajo mes Bylisit dhe Vllaznisë, por që u shoqërua me një tension të jashtëzakonshëm dhe tërësisht të pajustifikueshëm nga ana e vendasve.

Të ndjerë të vjedhur nga dy takimet paraardhëse, futbollistët ballshiotë protestonin ashpër pas çdo vendimi në arbitrit nga kryeqyteti Orlando Kuka, duke ia hequr nga kontrolli ndeshjen këtij të fundit, që për pak akordoi një 11-metërsh skandaloz në minutat e fundit për vendasit, por e ndihmoi arbitri anësor.

Sfida nisi me një gol të shpejtë të Vllaznisë, ku pas zhvillimeve të një goditjeje nga këndi, ishte Renato Malota ai që gjuajti saktë nga brenda zonës dhe mposhti portierin e ballshiotëve Isli Hidi.

Megjithatë reagimi i vendasve ishte mjaft i mirë dhe në aksionin pasardhës Valentino Murataj u harrua i lirë në zonë dhe gjuajti menjëherë duke mposhtur portierin Alen Sherri dhe rikthyer baraspeshën.

Katër minuta më vonë ishin sërish vendasit, që shfrytëzuan maksimalisht një mefshtësi të shkodranëve për të larguar topin dhe arritën të shënojnë edhe golin e dytë me anë të Edison Ndrecës.

Pak minuta më vonë, ishte pikërisht Ndreca që ndali me dorë Gligorov, gjatë një debutimi në zonë, por për arbitrin Kuka nuk ka 11-metërsh, ndërsa me kalimin e minutave ritmi i ndeshjes erdhi në rënie.

Megjithatë në minutën e 43-të, shkodranët pretenduan për një tjetër 11-metërsh, pas dyshimeve për prekje të topit me dorë nga ana e një mbrojtësi të ballshiotëve, por arbitri nuk kishte të njëjtin mendim, ndërsa në vazhdimin e aksionit, ishte Gilman Lika që shënoi një gol spektakolar me një goditje nga distanca.

Pjesa e dytë pa Bylisin më kërkues dhe Vllazninë që menaxhonte lojën, përpiqej të ulë ritmin dhe të godasë me anë të kundërsulmeve të shpejta, por pa ia dalë të vënë në vështirësi serioze Isli Hidin.

Momenti kulminant erdhi në minutën e fundit të kohës së rregullt, kur pas një aksioni të gjatë të vendasve, erdhi një goditje drejt portës, që u ndal në shpinën e Behar Ramadanit, por arbitri Orlando Kuka akordoi 11-metërsh për Bylisin.

Protesta të ashpra të shkodranëve, që në një moment kërcënuan edhe me daljen nga fusha e lojës, por pas konsultimit me anësorin, arbitri Kuka shpëtoi veten dhe anuloi vendimin, duke bërë që protesta të niste nga kampi tjetër.

I pajustifikuar reagimi i mbrojtësit Goxha, që ashtu siç dëgjohej edhe në audion e Supersport, shante e kërcënonte arbitrin Kuka, ndërsa ofendimet nuk i kurseu as për trajnerin shkodran Mirsad Jonuz në një moment.

Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi barazimin 2-2, një rezultat mjaft pozitiv për shkodranët, në një fushë ku janë dorëzuar shumë ekipe pretendente për titull, ndërsa Bylis do të duhet të presë ende për fitoren e parë për vitin 2020.

Sfida tjetër e javës së 20 ishte ajo mes Laçit dhe Skënderbeut, që u fitua nga kurbinasit me rezultatin minimal 1-0. Bardhezinjtë e Armando Cungut po vuajnë “shterpësinë” e sulmuesit Nwabueze, por sot ishte Redon Xhixha ai që shënoi në portën e korçarëve dhe u dha fitoren.

Ky rezultat ngjit Laçin në vendin e tretë me 32 pikë, vetëm 3 pikë më pak sesa Kukësi kryesues dhe dy pikë më pak se Tirana e vendit të dytë.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...