Connect with us

Hi, what are you looking for?

La Liga

Barça-Atletico, spektakli nis në orën 22:00, Messi&co detyrim fitoren

Përgatiti: Alked Gjebrea

Ditët kalojnë me shpejtësi dhe i lënë vend njëra – tjetrës, por gjithmonë e më shumë tashmë të gjithë po binden me idenë se Barcelona këtë herë nuk do të jetë në gjendje për të mbrojtur me sukses titullin në Primera Division. Disfata e Barçës në “El Clasico” u pasua nga rrëshqitja e Realit në Andaluzi në sfidën me Betisin dhe për rrjedhojë skuadra “blaugrana” e kaloi periudhën e izolimit dhe ndërprerjes së gjatë të kampionatit për shkak të pandemisë së koronavirusit në vendin e parë.

Me sa kuptohet drejtuesit e klubit dhe vetë futbollistët kanë “fjetur mbi dafina” gjatë gjithë kësaj periudhe, sepse pas rikthimit ekipi katalan ka hasur vështirësi për të gjetur lojën karakteristike dhe ritmin e zakonshëm, gjë që është reflektuar menjëherë edhe në mungesën e vazhdimësisë së rezultateve. Luhatjet e shumta dhe pasiguria në lojë natyrisht mund të justifikohet deri diku me shkëputjen e gjatë nga fushat e futbollit, për arsye të virusit COVID-19, por sidoqoftë alibi për formacionin e drejtuar nga trajneri Quique Setien mund të ketë vetëm për sfidën me Seviljen në “Ramon Sanchez Pizjuan”, pasi në duelin me Celtan në Balaidos Barcelona u gjend dy herë në epërsi dhe në të dy rastet skuadra “blaugrana” dështoi për të ruajtur avantazhin.

Bilanci sigurisht do të bëhet në mbyllje, megjithatë tani asgjë nuk varet më nga Barcelona, por thjesht nga çfarë do të bëjë prej këtej deri në fund Reali i Madridit, një klub i uritur për sukses në Gadishullin Iberik, duke marrë në konsideratë faktin që “los blancos” kanë fituar vetëm 2 nga 11 edicionet e fundit të kampionatit spanjoll. Sikur të mos mjaftonin gabimet e 10 ditëve të fundit Barcelona do të ketë edhe një kalendar tepër impenjativ, pasi në harkun e vetëm 9 ditëve ekipi i drejtuar nga trajneri Quique Setien do të matë forcat me Atletikon e Madridit, Villarrealin dhe Espanyolin në derbi.

Pra, përballë këtë herë qëndron pikërisht klubi që iu ka qëndruar më pranë Atletiko e Diego Simeones, që është shpallur nënkampione e Spanjës në dy edicionet e fundit, respektivisht me nga 14 dhe 11 pikë diferencë. Trajneri kantabrens nuk do të ketë sërish në dispozicion dy lojtarë si Ousmane Dembele dhe Frenkie de Jong, ndërsa lajmi i mirë vjen nga grumbullimi për këtë takim i mesfushorit Sergi Roberto, që, më në fund, duke se i ka hedhur pas krahëve problemet fizike, si dhe rikthimi nga skualifikimi i mesfushorit Sergio Busquets.

Reali i Madridit do ta luajë derbin e vogël të kryeqytetit me Getafen dy ditë më vonë, pra ditën e enjte, kështu që Barça duhet të bëjë detyrën, nëse shpreson ende te titulli në Primera Division. Nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli në kampionat apo ndonjë “harakiri” nga ana e skuadrës “merengues”, shpresat e vetme për trofe varen nga ecuria e klubit në Champions, në muajin gusht.

Në krahun, tjetër pavarësisht barazimit me gola në sfidën e parë pas rikthimit, në Vendet Baske me Athletic Bilbaon bardhekuqtë kanë hyrë në ritmin e tyre të zakonshëm, megjiëthse, për hir të së vërtetës, kalendari për “los colchoneros” ka qenë vërtet shumë i lehtë. Për rrjedhojë Atletico jo vetëm që u rikthye në zonën Champions, por tashmë gjendet e distancuar në vendin e tretë, 4 pikë larg Sevillas.

Te bardhekuqtë do të mungojë kapiteni Koke si dhe mbrojtësi Savic, të dy për shkak të kartonave. Skuadra e Simeones përgjithsësisht ka patur probleme larg stadiumit “Wanda Metropolitano”, gjithsesi edhe Barça duket sikur e ka humbur atë sigurinë e dikurshme, mjafton të kujtohet sfida nervoze me Bilbaon në shtëpi, që ishte njëherësh edhe ndeshja e fundit për skuadrën “blaugrana” brenda në “Camp Nou”.

Barcelona kishte fituar dy përballjet e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave në kampionat, megjithatë në fillimin e muajit janar, në Arabinë Saudite, “los colchoneros” u kthyen nga disavantazhi për të shënuar dy herë në 10’ e fundit të takimit, duke i rrëmbyer Barçës edhe Superkupën e Spanjës. Ndeshja do të luhet në mbrëmje, në orën 22:00, në “Camp Nou”, dhe i është besuar 37-vjeçarit Alejandro Hernandez.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...