Reali i Madridit i jep një tjetër leksion Barcelonës. Nuk pati histori dhe vetëm një skuadër në fushë për duelin e kthimit të Superkupës së Spanjës në El Clasicon ku “Merengues” ashtu si një javë më parë, ishin mbretër të fushës. Me dy gola diferencë triumfuan por nëtë herë në “Bernabeu” Los Blancos dominuan 2-0 duke fituar trofeun e dhjetë të Supoerkupës në historinë e këtij klubi dhe të parin që prej vitit 2012. Ishte Marco Asensio që nga një distancë e largët në minutën e 4 shënoi një nga golat më të bukur të karrierës së tij, duke ngrirë në ven gjermanin Ter Stegen.
Një gol magjik, ndoshta të tillë nuk do të shënojë më në karrierën e tij talenti madrilen por shumë i rëndësishëm për fatet e kësaj sfide. Barcelona e përgjumur nuk arriti të reagonte. Messi pa busull ashtu si Suarez dhe pjesa tjetër e skuadrës, nuk ishin asgjë tjetër vecse zgjatim i atij ekipi të shëmtuar pak ditë më parë në “Camp Nou”. Nuk ishte në fushë Ronaldo por Benzema dhe francezi u gjend në vendin dhe momentin e duhur për të shfrytëzuar harkimin e Marceloës në të 39-ën.
Shok total për Barcelonën dhe lavdi për Realin e Madridit. Numri 10 i katalanasve u përpoq por më kot në të 53-ën për të mbajtur lart nderin e skuadrës së tij ndërsa dy minuta më vonë Ter Stegen nuk lejoi të shënonte golin e dytë personal. “Santiago Bernabeu” shijoi ndoshta një nga El Clasicot më pak të tensionuar me një fitore që konfirmon Realin si skuadrën e momentit në Spanjë. Zidane koleksionon trofeun e dytë brenda pak ditëve, ndërsa Reali i Madridit hedh kandidaturën për një tjetër sezon spektakolar.