Paulinho Bezerra, është zyrtarisht i Barcelonës, duke u shndërruar në blerjen më të shtrenjtë të katalanasve në këtë merkato. Barcelona bëri publik në faqen zyrtare transferimin në Camp Nou të mesfushorit brazilian. Për kartonin e 29-vjecarit Barcelona do të derdhë në arkat e klubit kinez Guangzhou Evergrande shumën e 40 milionë Eurove. Një shifër e lartë kjo për një futbollist 29-vjecar që vjen nga kampionati kinez por kjo ishte rruga e vetme që drejtuesit e Guangzhou Evergrande të lejonin largimin e futbollistit të Selecaos. Këtë të Enjte Paulinho do të kryejë vizitat mjekësore me Barcelonën dhe më pas do të prezantohet në stadiumin Camp Nou. Paulinho i cili pëlqehej shumë për karakteristikat që ka nga drejtuesit e Barcës përfshirë këtu edhe trajnerin Ernesto Valverde, do të firmosë me blaugranat një kontratë 4-vjecare, ndërkohë që Barca pritet ti vendosë një klauzolë largimi që kap shifrën e 120 milionë Eurove. Pas Nelson Semedos dhe rikthimit te Gerard Deulofeut, Barcelona realizon një tjetër goditje në merkato duke përforcuar skuadrën me një emër të rëndësishëm dhe eskperiencë si Paulinho që deri tani numëron 41 ndeshje të luajtura dhe 9 gola të realizuar me përfaqësuesen braziliane ndërkohë që në të kaluarën e tij ka luajtuar edhe me skuadra të tilla si Sao Paulo dhe Tottenham Hotspur.
