Connect with us

Hi, what are you looking for?

La Liga

“Barçagate”, fakte të reja thellojnë skandalin!

Një javë pas shpërthimit të skandalit “Barçagate”, fakte të reja kompromentojnë edhe më shumë pozicionin e klubit dhe të presidentit të tij, Joan Laporta.

E përditshmja madrilene “El Mundo” vazhdon të ketë akses në dokumente të rezervuara. Së fundi ajo publikoi një letër dërguar Barcelonës në dhjetor 2018 nga avokati i ish-arbitrit Jose Maria Enriquez Negriera.

Përmbledhje e shkurtër e skandalit

Enriquez Negriera ka qenë arbitër nga 1975 deri në 1992 dhe që nga 1994 u bë zëvendëspresident i Komitetit të Arbitrave në Spanjë. Këtë detyrë e ka mbajtur deri në 2018.

Që nga 2003 (edhe pse ka pretendime që nga 2001), një kompani e tij, Dasnil 95, është paguar nga Barcelona. Katalanët kanë derdhur për arbitrin një shifër që në total i kalon 7 milionë eurot, me pagesa prej gjysmë milioni euro në 2016, 2017 dhe 2018.

Zyrtarisht, Dasnil 95 ofronte për Barcelonën një shërbim konsulence për arbitrimin, informacione që janë paguar me çmime të ekzagjeruara. Për më tepër të kryera për dikë që kishte një pozicion të fuqishëm vendimmarrës në sistemin arbitral në momentin e pagesave.

Letra e parë

Në 2018 Enriquez, Negriera humbi vendin e zv/presidentit dhe Barcelona vendosi që menjëherë të ndërpriste marrëveshjen me Dasnil 95.

Kjo gjë irritoi ish-arbitrin, që, siç lexohet në një letër të parë të publikuar nga “El Mundo” pak ditë më parë, kërcënoi Barcelonën se do të publikonte raportin e tyre disavjeçar, duke lënë të kuptohet se kjo gjë do të shpërthente një skandal të madh.

Dhe letra e dytë

Sot, “El Mundo” publikon një tjetër letër, që daton në dhjetor 2018 dhe që në rend kronologjik është para letrës tjetër, në të cilën avokati i Dasnil 95 kërkon pagesën e thuajse 300 mijë eurove për periudhën qershor-dhjetor 2018, kur, siç është thënë, Barcelona kishte vendosur të mos shfrytëzonte më konsulencën e Enriquez Negrieras, që, pikërisht në qershor, kishte lënë detyrën e tij në Federatën Spanjolle.

Joan Laporta

Duke kërkuar një këst të fundit pagese për klientin e tij avokati thotë gjëra interesante teksa ka shkruar: “Që nga viti 2003 shoqëria Dasnil 95, e drejtuar nga zoti Enriquez, ka kryer shërbime konsulence teknike me udhëzimin e presidentëve, zoti Laporta, zoti Rosell dhe zoti Bartomeu, duke rakorduar honoraret për çdo mandat presidencial, të fragmentizuara në të përvitshme dhe pastaj në mujore”.

Kjo është interesante, pasi është hera e parë që emri i presidentit aktual të Barcelonës, që ka mbajtur këtë detyrë edhe nga 2003 në 2010, përmendet në mënyrë eksplicite.

Ekskluzive

Në letrën e avokatit kujtohet se si Barcelona i ka kërkuar Dasnil 95 një raport bashkëpunimi ekskluziv, duke i ndaluar kompanisë të bashkëpunonte me ente apo klube të tjera.

Dhe, efektivisht, sipas “El Mundo”, 95% e të ardhurave të Dasnil 95 vinin nga faturat e paguara nga Barcelona.

Konfidencialiteti

“Që nga fillimi e deri tani, është e ditur se raporti ka qenë më se i mirë, dhe, duke punuar ngushtësisht me presidencën, janë ndërtuar raporte besimi dhe konfidencialiteti të cilat klienti im i ka shijuar përgjatë këtyre viteve.

Kjo ka sjellë një situata transgresioni, me besimin dhe favoret që kanë kaluar nga niveli profesional në nivel personal”.

Lexo edhe: 

Zhgënjimi

Avokati kërkon që lidhja të lulëzojë sërish, teksa vazhdon: “Në rast të kundërt, sjellja e Futbol Club Barcelona dhe në veçanti e zotit Bartomeu do të rezultojë e pakuptimtë për zotin Enriquez, diçka që do të shkaktonte një zhgënjim të thellë, duke marrë në konsideratë vitet e shumta të këtij raporti, shumë favore të bëra dhe shumë sekrete të përbashkëta.

Nevojitet qartësi

Enriquez Negriera nuk ia doli të vazhdonte sërish konsulencën me Barcelonën dhe pastaj kaloi në kërcënime.

Është e qartë se nga këto fjalë zbulohet një raport që shkonte shumë përtej thjesht përpilimit të dosjeve për arbitrat, siç ka deklaruar Barcelona. Mbetet për t’u parë se për çfarë bënte fjalë avokati kur fliste për sekrete dhe favore, profesionale dhe personale.

Dorëheqje dhe parashkrim

Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, ka ftuar Laportën të sqarojë çështjen ose në të kundërt të japë dorëheqjen. Presidenti i Barcelonës u përgjigj i nxehur : “Tebas e ka inat Barcelonën”.

Vlen të kujtohet se, sipas ligjit sportiv spanjoll, veprat parashkruhen pas 3 vjetësh dhe kështu Barcelona nuk rrezikon asgjë. Megjithatë hetimi për Dasnil 95, tani për tani, është vetëm i karakterit fiskal.

Nëse do të zgjerohet në një çështje penale dhe nëse do të kishte një dënim për korrupsion, atëherë edhe drejtësia sportive do të kishte argument për t’u vënë në lëvizje, gjithsesi skandali ka krijuar shumë indinjatë.

Aleanca e shenjtë

Para dy ditësh, 18 nga 20 klubet e Ligës nënshkruan një komunikatë ku shprehin shqetësimin dhe kërkonin transparencë.

Të vetmet klube që nuk e firmosën ishin Barcelona dhe Reali i Madridit. “Aleanca e Shenjtë” mes dy klubeve, është krijuar në emër të projektit të Superligës.

Kohët e luftës së “El Clasicos” se dikurshme duken shumë larg, por “Barçagate” mbetet në qendër të vëmendjes.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...