Përgatiti: Alked Gjebrea
Barcelona fillon misionin për të rimarrë kreun e klasifikimit në Primera Division në “Camp Nou”, ku kampionët në fuqi do të përballen me Athletic Bilbaon. Shkëputja e gjatë për shkak të pandemisë së Koronavirusit u duk sikur nuk kishte lënë aspak pasoja dhe Barça mposhti pa shumë vështirësi kundërshtarë të lehtë në letër si Mallorca dhe Leganes, pa pësuar, megjithatë këto dy takime u shoqëruan menjëherë nga një barazim zhgënjyes, për më tepër me rrjeta të paprekura, në Andaluzi, në sfidën me Sevillan, që i kushtoi skuadrës “blaugrana” humbjen e vendit të parë, pas një periudhe të gjatë kryesimi.
Tani asgjë nuk varet më nga klubi katalan dhe bilanci i drejtpërdrejtë i përballjeve me Realin me shumë gjasa do të vulosë fatin e edicionit të 89-të të kampionatit spanjoll.
Në mesin e muajit dhjetor skuadra “blaugrana” ishte me fat që barazoi 0-0 në shtëpi me ekipin madrilen, ndërsa në fazën e dytë pasi shpërdoroi mundësi të shkëlqyera në fraksionin hapës ekipi i drejtuar nga trajneri Quique Setien doli me kokën ulur nga stadiumi “Santiago Bernabeu”, pas dy golave të pësuar në 20’ e fundit të El Clasicos. E pra, ajo humbje djeg ende, madje do të dhembë akoma më shumë nëse në fund të kampionatit dy ekipet do ta përfundojnë sezonin në kuotë të njëjtë pikësh, sepse, nëse regjistrohet vërtet një situatë e tillë, atëherë “los blancos” do të krenohen me titullin e dytë në Primera Division në tetë vitet e fundit.
Sikur të mos mjaftonin dëmtimet dhe problemet fizike të disa lojtarëve të rëndësishëm të Barcelonës, ekipi “merengues” ka një kalendar shumë më të lehtë. Prej këtej deri në përfundim të vetmet probleme ekipi i drejtuar nga trajneri Zinedine Zidane pritet t’i ketë jashtë fushe me Espanyol-in dhe Athletic Bilbaon, ndërsa në javën e parafundit problematike mund të rezultojë gjithashtu edhe sfida me Villarrealin në kryeqytet. Reali ka gjithashtu edhe një avantazh tjetër shumë të madh, pasi prej këtej deri në fund të gjitha ndeshjet e kampionatit do t’i zhvillojë në Kompleksin e Klubit, pikërisht në fushën e stadiumit “Alfredo Di Stefano”, një fushë ku lojtarët e skuadrës madrilene ndihen shumë më mirë dhe luajnë symbyllur, pasi stërviten përditë.
Barcelona është e dënuar për të marrë 3 pikët, sepse në fillimin e muajit korrik klubi do të ketë sfida shumë të vështira si ajo me Atleticon e Diego Simeones në “Camp Nou” dhe ndeshja me Villareal-in larg Katalunjës. Samuel Umtiti rikthehet pas skualifikimit, megjithëse Clement Lenglet pritet që ta ruajë vendin e titullarit në formacion, gjithsesi do të vazhdojë të mungojë përveç sulmuesit Ousmane Dembele edhe dyshja Sergi Roberto – Frenkie de Jong, ndërsa në anën tjetër nuk do të jetë mbrojtësi i majtë Yuri Berchiche, prej pezullimit për shkak të kartonave.
Nga golashënuesi më i mirë i kampionatit dhe “ylli” dhe kapiteni i skuadrës Leo Messi pritet më shumë, ndërsa trajneri Quique Settien duhet të fillojë të mendojë seriozisht për t’i dhënë shumë më tepër hapësira 17-vjeçarit të talentuar me origjinë nga Guinea – Bissau Ansu Fati, sepse, duke lënë mënjanë dëmtimin, Luis Suarez ka shënuar 11 gola, ndërsa francezi Antoine Griezmann ka kontribuar me vetëm 8 gola gjithsej në Primera Division, në një kohë kur zëvendëskapiteni i Athletic Bilbaos, veterani Raul Garcia, pothuajse 34-vjeçar, ka realizuar 10 gola në total për ekipin bask në këtë edicion të kampionatit spanjoll.
Larg Bilbaos, ekipi i drejtuar nga trajneri Gaizka Garitano nuk është se shquhet shumë, gjithsesi skuadra baske numëron 8 barazime, po aq sa edhe Atletico e Madridit, madje në fundin e vitit të kaluar miqtë frustruan edhe vetë Realin e Madridit, teksa i bllokuan “Los Blancos” në një barazim pa gola, brenda në “Bernabeu”.
Athletic Bilbao pozicionohet në mesin e tabelës së renditjes, por shumë pranë zonës europiane, gjithsesi miqtë do të kenë gjithashtu edhe një mundësi tjetër nëpërmjet Kupës së Mbretit, në nderbin bask me Socideadin, në një datë që mbetet ende për t’u përcaktuar, për shkak të polemikave që janë hapur pas dëshirës së drejtuesve të këtyre klubeve për ta luajtur atë takim me spektatorë.
Barça ka humbur dy vizita e fundit në “San Mames”, që të dyja këtë sezon me rezultatin 1-0 dhe në të dy rastet gjithçka është vulosur pikërisht në çastet e fundit, ndërsa në “Camp Nou”, pas plot 14 humbjeve rresht, klubi bask ia doli për të rrëmbyer një barazim me shifrat 1-1, megjithëse për hir të së vërtetës Barcelonën e shpëtoi një gol i shënuar në fund nga Munir El Haddadi. Takimi do të mbahet në “Camp Nou”, në orën 22:00, dhe do të drejtohet nga 36-vjeçari Jesus Gil Manzano.
Më herët, në 19:30, në SuperSport 5 do të transmetohet takimi tjetër i La Ligas, Levante-Atletico Madridit, takim të cilin “Los Colchoneros” duhet ta fitojnë, për të mos e vështirësuar më shumë objektivin Champions.