Tenisti spanjoll Roberto Bautista-Agut siguroi titullin e 7 ATP në karrierë, teksa mundi në finale në Auckland, argjentinasin Juan Martin Del Potro.
29-vjeçari nga Tandilli kishte fituar 3 përballjet e fundit ndërmjet tyre dhe konsiderohej nga të gjithë si favoriti absolut për t’u kurorëzuar me titullin në edicionin e 42-të të turneut që zhvillohet çdo vit në këtë pjesë të globit, në Zelandën e Re, por numri 21 i botës zhvilloi një ndeshje të madhe, duke triumfuar në 3 sete, në një ndeshje që zgjati diçka më shumë se dy orë.
Numri 5 i turneut startoi vrullshëm dhe humbi vetëm një game, duke mbyllur shpejt e shpejt në vetëm gjysmë ore setin hapës, gjithsesi në setin pasardhës Delpo, numri 2 në Auckland, u kundërpërgjigj duke e thyer në shërbim tenistit iberik në game-n e 10. Në setin final gjithçka shkoi sipas shërbimit, sidoqoftë pikërisht atëherë kur pritej që dy tenistët ta zgjidhnin finalen në tie break, 29-vjeçari valencian shfrytëzoi më së miri vështirësitë në shërbim të numrit 12 të botës, për të mbyllur më pas takimin me rezultatin 6-1, 4-6, 7-5.
Kështu Roberto Bautista-Agut ngushtoi në 3-2 bilancin e përgjithshëm në përballjet ndërmjet tyre dhe siguroi titullin e dytë në 3 vitet e fundit në Zelandën e Re, pas trofeut të fituar në vitin 2016, por gjithsesi titulli në Auckland është i pari për tenistin spanjoll në 5 muajt e fundit, që nga kupa e marrë në Karolinën e Veriut, në Winston-Salem dhe me 250 pikët e siguruara ditën e hënë, Bautista-Agut do të rikthehet sërish në 20-shen e parë të botës.
Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për tenistin argjentinas, që pavarësisht se u mund, falë 150 pikëve të fituara, javën e ardhshme do të kthehet përsëri në 10 tensitët më të mirë të renditjes ATP. 13 janari i vitit 2018 nuk do të harrohet kurrë nga tenisti i ri rus, 21-vjeçari moskovit Daniil Medvedev, që siguroi titullin e parë ATP në karrierë, duke mundur në Sidnei adoleshentin australian Alex De Minaur.
Në finalen e edicionit të 125 të turneut të Sidneit numri 84 në planet Medvedev përmbysi disavantazhin e setit hapës për të kompletuar një fitore të paharrueshme me shifrat 1-6, 6-4, 7-5 ndaj 18-vjeçarit me origjinë spanjolle, që nga ana e tij pritet të përmirësohet me afërsisht 40 pozicione, krahasuar me vendin e 167 ku ndodhej javën e kaluar.
Po në Sidnei, këtë herë në turneun e femrave triumfoi Angelique Kerber, që mposhti në finale 6-4, 6-4 21-vjeçaren australiane Ashleigh Barty, që në klasifikimin e përgjithshëm botëror WTA pozicionohej në vendin e 19, tre vende më lart sesa tenistja gjermane. Natyrisht dhurata më e mirë që mund t’i bënte vetes, sepse të enjten e ardhshme Kerber do të festojë 30-vjetorin, për më tepër një trofe i tillë këto kohë shijon vërtet shumë, pasi ish-numri 1 i botës nuk fitonte një turne që nga titulli në US Open, në vitin 2016 kur në finalen e madhe të Neë York-ut mposhti në tre sete ceken Karolina Pliskova.
