Connect with us

Hi, what are you looking for?

Bundesliga

Bayern-Hertha (20:30) çel Bundesligën, prognoza e sezonit

Këtë të premte, në mbrëmje, starton në Mynih edicioni i 57-të i Bundesligës dhe si zakonisht privilegjin për të çelur kampionatin e kanë pikërisht rekordmenët e Bayernit, që do të presin në orën 20:30, në “Allianz Arena”, ekipin e Herthas. Pavarësisht ndryshimeve dhe përforcimeve që kanë bërë deri diku skuadrat e tjera rivale, përsëri Bayerni mbetet ekipi për t’u mundur. Diçka lehtësisht e kuptueshme, duke patur parasysh që klubi bavarez ka fituar radhazi në Bundesliga 7 kampionatet e fundit, madje edhe vetë kuotimet e bookmakers-ave krijojnë një ide më të qartë, pasi “të kuqtë” paguhen thjesht me koeficientin modest 1.33 për të koleksionuar sërish “meisterschale”-n, ndërsa verdhezinjtë e Borusias ndjekin nga shumë prapa me koeficientin 5.

Shpresat për një lloj ndryshimi në hegjemoninë e futbollit gjerman janë rritur ndjeshëm, pasi edicioni i kaluar i Bundesligës ishte shumë i rivalizuar dhe në fund Bayerni ia doli mbanë për të mbrojtur me sukses titullin, për vetëm 2 pikë më tepër sesa skuadra e Dortmundit, krejt ndryshe nga ç’ndodhi, për shembull, në sezonin 2017-18, kur klubi bavarez siguroi trofeun më të rëndësishëm në vend me plot 21 pikë më shumë sesa Schalke, që u pozicionua në vendin e dytë.

Dy klubet më të rëndësishëm në Gjermani kanë mbajtur në drejtim po të njëjtët trajnerë dhe dueli i 3 gushtit tregoi qartë se diferencat ndërmjet tyre janë ngushtuar akoma më shumë, teksa verdhezinjtë fituan pas pesë vjetësh Superkupën, duke fituar madje brenda në Westfalen me po të njëjtat shifra si edhe në vitin 2014, 2-0.

Asokohe për Borusian e Dortmundit shënuan emra si Mkhitaryan dhe Aubameyang, ndërsa këtë herë stafeta ka kaluar te futbollistë të tillë si Paco Alcacer dhe Jadon Sancho. Pavarësisht presionit të madh që mbart në vetvete klubi më i lavdishëm gjerman, trajneri kroat Niko Kovac ia doli mbanë për t’i fituar që të tre trofetë, ndërsa Lucien Favre në krahun tjetër me idetë e tij ka ndikuar vërtet shumë në ringritjen e “verdhezinjve”, megjithëse për hir të së vërtetës edicionin e kaluar Dortmundi u shpall kampion i dimrit dhe shpërdoroi plot 9 pikë avantazh që kishte kundrejt Bayernit.

Pas mbylljes së ciklit të dyshes Robben – Ribery dhe largimit të futbollistëve Hummels, James Rodriguez e Rafinha, trajneri Niko Kovac ka përforcuar ekipin me emra të tillë si Pavard, Lucas Hernandez, Arp dhe Perisic, ndërkaq te Dortmundi janë larguar Schurrle, Pulisic, Maximilian Philipp apo dhe Omer Toprak, por gjithsesi janë afruar lojtarë cilësorë si Julian Brandt, Thorgan Hazard dhe Nico Schulz, pa harruar pra edhe rikthimin e veteranit Mats Hummels.

7 skuadra e fillojnë sezonin me trajnerë të rinj. Kështu Julian Nagelsmann do të drejtojë Leipzig-un, ndërsa vendin e tij te Hoffenheimi e ka zënë holandezi Alfred Schreuder. Timoni te Wolfsburgu i është besuar austriakut Oliver Glasner, ndërsa Hertha e Berlinit do të drejtohet nga kroati Ante Covic. Gladbach-u do të udhëhiqet nga Marco Rose, ndërsa Schalke nga David Wagner, ndërkaq Këlni i është besuar trajnerit Achim Beierlorzer, sidoqoftë Këlni dhe Paderborni u rikthyen sërish në Bundesligë, ndërsa për herë të parë në elitën e futbollit gjerman është ngjitur klubi i Unionit, nga pjesa lindore e Berlinit, që përpara 13 vjetësh luante në Kategorinë e Katërt të këtij vendi dhe për t’u katapultuar në Bundesligën e Parë “të hekurtit” e kryeqytetit eliminuan në play off as më pak e as më shumë vetë Stuttgartin, klub që numëron plot 5 tituj kampionë në historinë e futbollit gjerman.

Sezonin e kaluar, përveçse finalist në DFB Pokal, klubi nga Saksonia nën drejtimin e Ralf Rangnick u rendit, i treti i shkëputur nga pjesa tjetër, ndërkaq pas Leipzig-ut në klasifikim u pozicionuan me radhë ekipe si Leverkusen, Monchengladbach, Wolfsburg dhe Eintracht, praktikisht katër skuadra që u ndanë nga vetëm katër pikë gjithsej, ndërsa Werderi humbi Evropën për thjesht 1 pikë të vetme. Për të krijuar një ide më të qartë për diferencat e mëdha, parashikimet paraprake japin sërish Leipzig-un në vendin e tretë me koeficient 34, ndërsa 67 kuotohet për titullin Bayer Leverkusenit, ndërkaq rivaliteti për Europën, përveç kësaj katërsheje, pritet të përqëndrohet te skuadra si Gladbach, Wolfsburg, Eintracht, Werder, Schalke.

Klubi nga Frankfurti ka përfituar plot 100 milionë euro vetëm nga shitja e dyshes së sulmit Luka Jovic – Sebastien Haller, ndërkaq e ka kaluar këtë shifër gjithashtu edhe klubi i Hoffenheimit, të cilit i janë larguar emra të tillë si Joelinton, Demirbay dhe Nico Schulz.

Në fund pritet të rrezikojnë katër skuadra për të rrëshqitur në Bundesligën e Dytë si Paderborn, Union Berlin, Augsburg dhe Këln. Edicioni i 57-të i Bundesligës fillon pra më 16 gusht dhe do të mbyllet 16 majin e vitit të ardhshëm, ndërkaq në ndryshim nga sezonet e tjera drejtuesit kanë rënë dakord për të rritur numrin e lojtarëve zëvendësues në stol, nga 7 që ishte në 9. Gjithë të apasionuarit do të kenë mundësi për të shijuar ndeshjet e kampionatit gjerman si zakonisht brenda Paketës Supersport, në Platformën Digitalb nëpërmjet Kanalit Eurosport 2.

 

 

 

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...