Me shkarkimin e Carlo Ancelottit, Bayernit i duhet të nisë kërkimet për trajnerin e ri. Për momentin, vendin e teknikut italian e ka marrë pikërisht Willy Sagnol, i cili ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore si trajneri i parë i klubit bavarez. Ndeshja e parë e tij në këtë detyrë është pikërisht ajo me Hertha Berlin. Ish-mbrojtësi francez jeton në Mynih së bashku me bashkëshorten e tij Gwendoline, ish-sekretarja e Presidentit Uli Hoeness.
Kandidati tjetër për bankinën e Bayernit është Thomas Thuchel, i cili për momentin nuk ka marrë drejtimin e asnjë skuadre pas largimit nga Borussia Dortmund, me të cilën fitoi një Kupë të Gjermanisë, ndërkohë që në Ligën e Kampioneve u eliminua në 1/8 e finaleve. Karakteri i vështirë i tij solli edhe ndarjen me verdhezinjtë.
Julian Nagelsmann është trajneri më i ri i Bundeligës që shënon emrin në listën e të preferuarve të Bayernit. Aktualisht, 30-vjeçari drejton Hoffenheimin, të cilin jo vetëm që e shpëtoi nga rënia në Bundesliga 2, por e çoi edhe në fazën e “playoff”-it të Ligës së Kampioneve, ku u eliminua nga Liverpooli për të luajtur në Europa League.
Kandidatura e fundit dhe më me peshë është ajo e Jurgen Klopp. Trajneri 50-vjeçar ka një kontratë me Liverpoolin deri në 2022 dhe paguhet 10 milionë euro në sezon. Fakti që ai gjatë qëndrimit të tij te Borussia krijoi një raport shumë të mirë me futbollistët i tërhoqi vëmendjen Uli Hoenessit, por në klasifikimin e preferencës së tifozëve, Klopp është i treti pas Tuchel e Nagelsmann.
