Ipko Superliga

Bekim Isufi në ‘Zona Gol’: Besojmë te titulli, e meritojmë plotësisht

Drita vijon të ecë me hap kampioni në Vala Superligën e Kosovës, ku nuk humb prej 27 javësh dhe kryeson renditjen me 3 pikë më tepër se Prishtina ndjekëse.

Trajneri i skuadrës gjilanase, Bekim Isufi ishte i ftuar në emisionin ‘Zona Gol’, ku foli për ecurinë e skuadrës dhe pretendimet për të rikthyer titullin te Drita, pas shumë vitesh mungesë.

‘Zona Gol’: A ka probleme me arbitrimin dhe dhunën ndaj tyre në Kosovë?
Bekim Isufi: Te ne është më qetë dhe këto fenomene nuk janë prezente. Ndjehemi me fat, sepse pavarësisht rezultatit, mund të gjykohet dhe analizohet një arbitër, por jo të dhunohet. Shqipëria është shumë më lart në shumë drejtime, por në këtë aspekt ne jemi shumë mirë dhe nuk kemi parë fenomene të tilla.

‘Zona Gol’: Besonit se mund të shkonit kaq lart, kur morët drejtimin e klubit?
Bekim Isufi: Në bisedë me drejtuesit, besonim se mund të ecnim shumë, por askush nuk fliste hapur për titull. Prishtina dhe Llapi shikoheshin si rivalët tanë kryesorë, por kishim besim se nëse do të impenjoheshim mirë në çdo takim, mund të bënim diçka të mirë. Na ndihmoi shumë faza përgatitore, kur bëmë edhe përforcime, duke krijuar një ekip kompakt. Kemi punuar duke marrë ndeshjet një nga një dhe rezultati është ky, që kryesojmë renditjen me 3 pikë para Prishtinës. Mendoj se është shpërblyer puna dhe serioziteti i lojtarëve në stërvitje.

‘Zona Gol’: A ua vështirëson terreni ndërtimin e një skuadre kualitative?
Bekim Isufi: Terreni është pengesë për thuajse të gjithë ekipet e Kosovës, pasi lojtarët nuk kanë mundësi të shprehen ashtu siç duhet. Ne mundohemi të bëjmë maksimumin me këto kushte që kemi, por do të donim të kishim të paktën disa fusha të mira për të luajtur dhe për t’u shprehur më mirë.

‘Zona Gol’: Kosova shquhet për ‘eksport’ futbollistësh, ndaj besoj se meriton vëmendjen e shtetit…
Bekim Isufi: Problemi më i madh mendoj se është që shteti bëhet i gjallë vetëm për fushata dhe nuk e mbështet aspak futbollin në vijimësi, ndryshe nga çfarë ndodh në rajon dhe botë. Gjithsesi shpresojmë që të rritet vëmendja ndaj sportit dhe futbollit në veçanti, pasi jemi një vend që nxjerrim talente.

‘Zona Gol’: Po provon t’u marrësh kampionatin skuadrave me buxhet shumë të madh…
Bekim Isufi: Drita ka traditë në futbollin e Kosovës dhe ka një tifozëri, ndoshta më të zjarrtën, që i qëndron shumë pranë skuadrës në çdo takim. ‘Intelektualët’ e përkrahin skuadrën pavarësisht se ku luhet ndeshja dhe cila është pozita e skuadrës. Të jesh trajner i kësaj skuadre, apo edhe të jesh thjesht pjesë e Dritës, është kënaqësi.

‘Zona Gol’: Duket sikur luani futbollin më të kujdesshëm në Kosovë…
Bekim Isufi: Është e vërtetë, pasi duke njohur elementët që kam, e di se mund të marr më të mirën, duke luajtur me kujdes. Nuk mendoj se jemi në gjendje për të luajtur futboll më të hapur, pasi do të rrezikonim shumë.

‘Zona Gol’: Mendoni se jeni më të mirë se Prishtina, apo po shfrytëzoni gabimet e tyre?
Bekim Isufi: Prishtina ka një ndeshje shumë të vështirë në Prizren dhe ne shohim se mund ta mbyllim aty titullin. Gjithsesi, edhe nëse çdo gjë shkon për në ndeshjen e fundit, kemi besim se do t’ia dalim, pasi nuk humbim prej 27 ndeshjesh dhe asnjë herë nuk kemi humbur me më shumë se një gol diferencë. Për më tepër, ndeshja e fundit do të luhet në Pejë, një fushë asnjanëse, që krijon kushte të barabarta loje. Unë jam i bindur që e meritojmë titullin, pasi kemi treguar lojëra dhe impenjim maksimal nga ndeshja në ndeshje.

‘Zona Gol’: Çfarë mendove kur mësove se Prishtina përmbysi në fund ndeshjen ndaj Gjilanit?
Bekim Isufi: Asgjë pasi nuk është se prisnim ndonjë gjë prej Gjilanit. E vetmja gjë që kemi për ta, është që do t’i ftojmë në festën e titullit, pasi ta fitojmë.

‘Zona Gol’: Ç’mendim keni për trajnerët nga Shqipëria, që drejtojnë në Kosovë?
Bekim Isufi: Janë të gjithë trajnerë shumë të mirë, që kanë sjellë shumë cilësi dhe risi në ligën tonë. Edhe Shkëmbi që është debutues si trajner, ka bërë një punë fantastike te Liria, të cilën e kemi parë të gjithë. Unë mendoj se ne duhet t’u jemi mirënjohës këtyre emrave të trajningut, që kanë sjellë shumë eksperiencë në futbollin tonë.

To Top