Benfica është në kërkim të një sulmuesi, pasi portugezët këtë verë humbën shërbimet e Nunez, i cili kaloi te Liverpool në Premier League.
Klubi portugez ka vetëm një objektiv për momentin, që mund t’i shërbejë edhe Real Madrid. Jo për faktin se Benfica kërkon në skuadër për sezonin e ri, brazilianin Reinier Jesus, me këtë të fundit që është në pronësi të madrilenëve, por dy sezonet e fundit i ka kaluar në formë huazimi në Bundesliga te Borussia Dortmund.
Braziliani nuk ka arritur të tregojë vlerat e tij, pasi në dy sezonet e fundit ka luajtur vetëm 39 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol me Dortmund, numra që nuk bindin aspak në shtëpinë e Real-it, prandaj edhe në sezonin e ri braziliani pritet të huazohet dhe ky do të jetë shansi i fundit për të bindur drejtuesit spanjoll.
Marrëveshja midis klubeve ende nuk është arritur, por në kushte të tilla Real mund të “pajtohet” me çdo ofertë të portugezëve, pasi edhe gjermanët kanë hequr dorë nga sulmuesi. Real Madrid për momentin kërkon që klubi portugez të paguajë tarifën e huazimit, një vlerë rreth 3 milionë euro në sezon dhe pikërisht për këtë shumë po diskutohet ende.
Reinier konsiderohet një talent, me 20-vjeçarin i cili iu bashkua Realit nga Flamengo për 35 milionë euro në janarin e 2020, por qëndroi vetëm disa muaj në Madrid, pa arritur të marrë minuta.
Portugalia konsiderohet gjithashtu si “djepi” i talenteve dhe Reinier mund të gjejë “habitatin” e përshtatshëm për të treguar se investimi i Realit ne vitin 2020 ishte i duhuri.