Kosova

Berisha tjetër gol në Championsin aziatik, Melbourne Victory merr një pikë(Video)

Pas finalizimit ndaj kinezëve të Shanghai Sipg nga pika e bardhë e penalltisë, Besart Berisha gjeti edhe golin e parë me aksion në këtë edicion të Champions Leagues aziatike dhe të dytin personal. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës rezultoi përcaktues në takimin mes Kawasaki Frontale dhe Melbourne Victory që përfundoi në barazim 2-2 me skuadrën australiane që mori pikën e dytë në grupin F duke mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit. Në duelin e zhvilluar në stadiumin “Kawasaki Todoroki Stadium” në Japoninë e largët ishin vendasit që kaluan të parët në avantazh me brazilianin Elsinho në minutën e 28-të, por nuk vonoi shumë dhe në skenë doli Berisha. 8 minuta më pas bomber 32-vjeçar nga Prishtina bëri gjithçka në mënyrën e duhur teksa edhe me pak fat pas devijimit të mbrojtësi kundërshtar realizoi golin që barazoi shifrat në 1-1. Në fillimin e pjesës së dytë Kawasaki gjeti sërish epërsinë me golin e Nobarizatos, por në minutën e 3-të shtesë me Berishën që kishte pak minuta që ishte zëvendësuar nga trajneri Kevin Muscat, Melbourne Victory realizoi golin e barazimit me holandezin George nga pika e bardhë e penalltisë.

To Top