Vijon beteja juridike për lirimin e tifozit Ismail Morina dhe për të ndaluar ekstradimin e tij nga Kroacia në Serbi. Federata Shqiptare e Futbollit po bashkëpunon ngusht me institucionet shtetërore në Shqipëri, për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje.
Institucioni që drejton futbollin në vend njoftoi se “pas kërkesës për bashkëpunim, FSHF vendosi në dispozicion Ministrisë së Drejtësisë praktikën e ndeshjes Serbi-Shqipëri, për të cilën Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, vendosi lidhur me mungesën e sigurisë dhe incidentet në Beograd” më 14 Tetor 2014.
Në mbështetjen juridike që Federata e Futbollit po jep saktësohet se “nga argumentet e vendimit të CAS, rezulton se incidenti i dronit, përbën një ‘ngjarje të gjykuar’ nga drejtësia sportive”, pasi “Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e ka klasifikuar si një shkelje e natyrës administrative dhe jo penale”.
Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, por edhe me kontaktet e vazhdueshme me përfaqësuesin ligjor të Ismail Morinës në Dubrovnik, FSHF shpreson të japë kontributin e saj nëpërmjet materialeve të nevojshme për gjyqin e mundshëm të tifozit.
Në deklaratën e bërë, Federata e Futbollit konfirmoi aplikimin e “Ballistit” për azil në Kroaci. Përfaqësuesi i institucionit të futbollit është takuar me tifozin në ambjentet e paraburgimit në Dubrovnik, ku Ismail Morina gëzon shëndet të mirë dhe i garantohen të drejtat themelore nga autoritetet kroate, mgjithatë mbetet frika se ekstradimi i mundshëm në Serbi do të bënte që shëndeti dhe jeta e tij të jenë seriozisht në rrezik.
