Connect with us

Hi, what are you looking for?

Sport

Bezhani thirrje kryeministrit: Po kërkoni të bëni një mur pa themele. Ylli ka vjedhur presidencën e KOKSH-it

Sportistët shqiptarë që do të përfaqësojnë Shqipërinë në kompeticionin e Lojërave Olimpike “Tokyo 2020” janë nisur drejt Japonisë, pas ceremonisë së zhvilluar disa ditë më parë në “Pallatin e Brigadave” në Tiranë. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili i dorëzoi flamurin shqiptar dy sportistëve, atletes Luiza Gega dhe peshëngritësit Briken Çalja. Në fjalën e tij të rastit, kryeministri Rama theksoi se gjatë këtij mandati të tretë kjo qeveri do të hartojë një program specifik për sportin si dhe vlerësoi zgjedhjen e Fidel Yllit në krye të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Për të folur mbi këtë temë, i ftuar në televizionin “Fax News” ka qenë ish-presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, i cili ka qenë në krye të këtij institucioni për 8 vite me radhë. Ai ka komentuar gjatë fjalën e kryeministrit Rama si dhe ka folur mbi problematikat e sportit shqiptar dhe mungesën e mbështetjes nga qeveria shqiptare.

“Ndihem i ofenduar me atë që pashë në këtë gala, pasi pashë një kryeministër që me deklaratat që bënte ka privatizuar dhe sportin. Dhe ajo që është më e keqja dhe që nuk doja ta besoja është se me fjalën e tij tregoi se me të vërtetë paska influencuar në të gjithë këtë lëmsh që ka Komiteti Olimpik. Ka dy vite që Komiteti Olimpik ka pasur probleme nga më të ndryshmet. Po të shihni fjalën e kryeministrit është për të ardhur keq. Ai ka marrë autonominë e sportit. Ndërkombëtarët, CIO të vetmen gjë që nuk pranojnë është që autonomia të jetë 100% dhe nuk pranojnë që të jetë në varësi të politikës. Kryeministri tregoi në gala që e ka privatizuar komplet sportin”.

Teksa citon kryeministrin Rama, në fjalën që ai mbajti përpara të pranishmëve në ceremoninë e organizuar në “Pallatin e Brigadave” ku u shpreh se ka pritur me kënaqësi zgjedhjen e z. Ylli në krye të KOKSH, Bezhani i drejtohet publikisht duke thënë se kreu i qeverisë shqiptare ka bashkëpunuar me presidentin e ri për përzgjedhjen e tij në mënyrë të paligjshme.

“Zoti kryeministër, keni pritur me shumë kënaqësi zgjedhjen e Fidelit. Kjo tregon se ju paskeni bashkëpunuar me z. Fidel. Ju e dini shumë mirë se ju kam dërguar disa letra dhe kam bërë publike problematikat që ka KOKSH. Z. Fidel është zgjedhur kryetar në mënyrën më të turpshme, duke abuzuar në periudhën e Covid-it dhe duke futur brenda ministra dhe deputetë. Është zgjedhur në mënyrë të paligjshme duke shkelur statutin, duke shkelur rregulloren, duke çuar në gjykatë edhe me firmën e një punonjësi. Edhe më e keqja, ai bashkëpunon edhe me sekretarin. Ky sekretar ka disa procedime penale, për abuzimet që ka bërë. Është e papranueshme që një kryeministër të jetë me këta njerëz.”

Ai akuzon Fidel Yllin që nuk ka bërë gjë për sportin gjatë kohës që ai ishte deputet i mazhorancës. “Kush është Fideli? Mos të harrojmë që ky Fidel ka ngritur 8 vite dorën për atë buxhet të shtetit dhe nuk ka bërë gjysmë gjëje për sportin”, – shprehet Bezhani.

Ish-presidenti i KOKSH-it komenton edhe fjalën e kryeministrit, teksa ai u shpreh për mbështetjen që do t’i japë sportit, duke e konsideruar si një fasadë. “Ata që janë të brendshëm e kuptojnë që kjo është një fasadë. Ju thoni që do të mbështesin sportistët, por si do ta filloni këtë mbështetje, duke mbështetur Fidel Yllin? Ju kërkoni të bëni një mur pa themele. Nuk mund të mbështesësh një njeri që e ka vjedhur një post presidenti. Që është bërë president në mënyrë të jashtëligjshme”, – shprehet ai.

Bezhani flet edhe për abuzimet që janë bërë me Komitetin Olimpik Shqiptar dhe problematikat e këtij institucioni, duke i bërë thirrje kreut të qeverisë të bëjë SPAK edhe në sport. “Kryeministri të tërheqë ato që ka thënë dhe të bëjë një SPAK dhe të hyjë e ta vlerësojë sportin dhe të bëjë më të mirën. Ka shumë abuzime. Asambleja që u zhvillua në datë 10 u zhvillua në mënyrë të jashtëligjshme. Këtë Asamble e çova në gjykatë dhe gjykata na dha përgjigje pozitive, që nuk duhet të zhvillohet kjo Asamble. U dha një datë tjetër. Kur e çova sërish në gjykatë, nuk del më vendimi i gjykatës, as pozitiv as negativ. Këtë të marrë kryeministri. Gjykatës që nuk na japin përgjigje. Kam çuar 4-5 padi për shkelje të jashtëzakonshme dhe kam dy vite në prokurori e nuk marr një përgjigje, me prokurorë që më thonë ‘ik se kam punë të tjera’”.

Ai foli edhe për programin e sportit të hartuar nga qeveria shqiptare, ku u shpreh se nuk është realizuar asnjë pikë e këtij program. “Kush është projekti i kryeministrit që deklaroi se do bëjë një projekt për sportin. Ja ku e ka programin, 8 vite kryeministri dhe Fidel Ylli. Më gjeni një pikë që ky program është realizuar. Nëse e gjeni, i them kryeministrit bravo i qoftë. Mos të shesë mend poshtë e lart as Fideli me stadiumet. Kanë bërë qendër olimpike dhe qendra olimpike është zyra për bashkinë. Më kanë kërkuar 8 mijë euro për të zhvilluar basketbolli ndeshje ndërkombëtare. Tjetër gjë thonë e tjetër bëjnë. Sporti duhet vlerësuar sepse vlerëson të ardhmen e rinisë. Këta duan çdo gjë për interes. Dalin e flasin dhe vetë presidenti i Komitetit Olimpik i zgjedhur, del e flet për Klubin Partizani, të shohë tokat dhe ndërtimet e veta. Të shohë se si është bërë te cirku, se si është prishur terreni sportiv aty. Kemi pasur 26 fusha, janë prishur. 3 stadiumet janë bërë me fondet e futbollit. Dëgjova një ditë që qendra olimpike, gjysma është bërë e futbollit. Po normale, ajo i shërben sportit, nuk është bërë pallat. Dhe ju e dini të gjithë se kush është futbolli, sa ka. Treçereku i rinisë këtu merret me futboll, sportet e tjera kanë nga 10-15. Nuk ka asgjë të keqe që bëri dy terrene sportive me lekët e veta. Këtë duhet ta vlerësojmë. Bëri një stadium, e ka bërë vetë, bravo i qoftë, është pozitive”, – tha Bezhani në televizionin Fax News.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...