Kategoria Superiore

Bicaj: Më bindi telefonata e Shkëmbit, Teutën e çojmë në Europë

Nga bregdeti në bregdet, nga Vlora në Durrës. Ditmar Bicaj vendosi që për herë të parë në karrierë të vishte fanellën e Teutës. Një sfidë personale e lezhjanit që kërkon ta dërgoj sa më lart këtë skuadër. Ai iu bashkua “djemve të detit” vetëm para 10 ditëve dhe ishte stafi teknik ai që e bindi të pranonte ofertën.

“Normalisht që ishte një telefonatë e tashmë profesorit tim, Shkëmbit, që më bindi. Duke parë edhe ambientin këtu, por edhe dëshirën për të bashkëpunuar me ta, nuk ngurrova të vija te Teuta”, deklaroi Bicaj.

Ka pak kohë që stërvitet me ekipin durrsak, megjithatë përshtypjet e 29-vjeçarit janë ndër më pozitivet.

“Skuadra është në kulmin e ngarkesave fizike. Ka shumë lojtarë të rinj, por cilësorë. Me afrimin e Osmanit, por edhe të Hidit, besoj se do të alternohen mirë freskia me eksperiencën”, tha mbrojtësi lezhjan.

Bicaj është i lumtur që do të formoj një trinom mbrojtës me dy lojtarë të kalibrit të Isli Hidit e Tefik Osmanit.

“Do jetë diçka e bukur besoj, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të punojmë sa më shumë, që Teuta këtë vit të jetë ndryshe nga ajo e sezonit të kaluar”, deklaroi Bicaj.

Teuta kërkon të pozicionohet në shkallët e larta të renditjes për të siguruar një vend në Europë, teksa kjo është edhe ajo që mbrojtësi uron të realizojë me fanellën blu.

“Nuk është se kemi ndonjë objektiv konkret nga klubi, por duke parë përbërjen që disponojmë në ekip, them se do jemi në 4 vendet e para dhe besoj se do të ishte shumë bukur të dilnim në Europë”, u shpreh mbrojtësi Ditmar Bicaj.

To Top