Connect with us

Hi, what are you looking for?

MotoGP

Bie dominimi i Marquez, çfarë rivaliteti në Klasin Mbretëror!

Pas dominimit absolut të pilotit spanjoll Marc Marquez, kampionati botëror i motoçiklizmit në Klasin Mbretëror ka kaluar në një stad tjetër, ku nuk ka padron dhe në këtë kompeticion mund të fitojnë të gjithë. Ditën e diel, në Spanjë, në Çmimin e Madh të Aragonës, triumfoi piloti vendas Alex Rins, me Suzukin. 24-vjeçari nga Barcelona u bë piloti i tetë i ndryshëm që fiton në tetë garat e fundit të edicionit të 72-të në Kategorinë Elitare të kampionatit botëror të motoçiklizmit.

Kampioni në fuqi është duke vuajtur pasojat e atij rrëzimi në fillim të sezonit, ndërsa 7 herë kampioni i botës, Valentino Rossi, është shumë pranë mbylljes së karrierës. Rivaliteti është ndezur në maksimum dhe në pistë nuk ka më favoritë, gjithsesi është e kuptueshme që bëhet fjalë për një edicion tepër të veçantë, në cilindratën më të lakmuar të këtij sporti. Gjithçka lidhet në mënyrë të pashmangshme pikërisht me virusin COVID-19 dhe shtyrjen tepër të gjatë të këtij edicioni, sidoqoftë garat nuk është se janë influencuar shumë dhe në pistë kanë ndodhur nga të gjitha. Duke filluar nga gara e fundit, ku triumfoi pra piloti katalanas, që nuk fitonte në Moto Gp që nga edicioni i kaluar, më saktë që nga gara e Silverstonit në Çmimin e Britanisë së Madhe.

Fitorja në pistën “MotorLand Aragon”, në Alcaniz, është e treta në karrierë për 24-vjeçarin nga Katalunja dhe e treta gjithashtu për Suzukin në këto dy sezonet e fundit. Pasi mbajti lart vitin e kaluar flamurin e markës së famshme japoneze me dy fitore, këtë sezon Alex Rins shtoi shtëpinë e famshme prodhuese nga “vendi i lindjes së diellit” në listën e konstruktorëve që ia kanë dalë mbanë për të fituar të paktën një garë në edicionin e sivjetshëm.

Spikat Yamaha që ka triumfuar në gjysmën e garave të zhvilluara, pra me plot 5 fitore, ndërkohë ndjekin nga prapa Ducati dhe marka austriake KTM me nga 2, ndërsa Suzuki plotëson kuadrin e listës fituese të konstruktorëve.

Mungon diçka. Për të gjithë ata që janë shkëputur nga garat, nuk ka asnjë gabim. E pra për të kthjelluar gjithçka mungon Honda, marka që e mbuloi plot lavdi pilotin spanjoll Marc Marquez, i cili 6 nga 7 titujt kampionë në Klasin Mbretëror i ka fituar pikërisht me motorin e famshëm nipon.

Më në fund, në Aragonë, vëllai i vogël Alex Marquez tregoi shenjat e para të progresit, me skuadrën e mirënjohur Repsol Honda, teksa u pozicionua në vendin e dytë me vetëm çerek sekonde diferencë me fituesin e garës Alex Rins, një tjetër vend i dytë për të pas garës në Le Mans, ndërsa podiumi u kompletua nga piloti tjetër i Suzukit Joan Mir.

Spanjollët dominuan praktikisht garën e fundit, duke fituar katër nga katër vendet e para, ndërsa i pari pilot jo spanjoll ishte 28-vjeçari japonez Takaaki Nakagami, që garon me Honda për skuadrën e drejtuar nga italiani Lucio Cecchinello. Duke marrë parasysh problemet e shumta, me një logjikë të thjeshtë mendohej se nga situata e krijuar dhe nga gjithë ky kaos do të ishte në gjendje për të përfituar veterani italian, Andrea Dovizioso, apo qoftë edhe spanjolli tjetër, Maverick Vinales, sidoqoftë Vinales e përfundoi aventurën e tij në Alcaniz në vendin e katërt, ndërsa Dovi u pozicionua vetëm në vendin e shtatë, madje pas edhe bashkëkombasit të tij Franco Morbidelli, që garon me Yamaha-n kliente, ndërsa Valentino nuk udhëtoi fare për në Gadishullin Iberik, pasi rezultoi pozitiv me virusin Covid-19. Drejtuesi më i lartë i Yamaha-s Zyrtare Lin Jarvis preferoi për të mos ta zëvendësuar fare “Doktorin” në Aragonë, megjithëse për hir të së vërtetës në tre garat e fundit në Misano, Montmelo dhe Le Mans veterani italian nuk ka marrë asnjë pikë, madje në të gjitha garat e sipërpërmendura numri 46 është tërhequr.

Në mesin e shkurtit të ardhshëm Rosi do të mbushë 42 dhe sezonin tjetër pritet që influenca e tij në Klasin Mbretëror të reduktohet akoma më shumë, duke marrë parasysh faktin që në kampionatin e vitit 2021 piloti pezarez do të kalojë te Yamaha satelite, pra skuadra Petronas. Piloti francez i këtij ekipi Fabio Quartararo fitoi dy garat e para të sezonit, në gjysmën e dytë të muajit korrik, madje duke llogaritur gjithashtu edhe suksesin në Barcelonë tre javë më parë 21-vjeçari nga Nisa përfaqëson pilotin e vetëm që ia ka dalë mbanë për të fituar më shumë se një garë në këtë edicion të Moto GP.

Ditën e dielë Quartararo e mbylli garën jashtë zonës së pikëve, duke lëshuar në këtë mënyrë edhe kreun e klasifikimit, pozicion që mbahet në mënyrë surprizë nga 23-vjeçari nga Palma de Mallorca Joan Mir, që garon me Suzuki. Mir u tërhoq në 2 nga 3 garat e para të sezonit, megjithatë piloti i ri spanjoll tani udhëheq kampionatin në Klasin Mbretëror, pavarësisht se nuk ka fituar asnjë garë në sezonin e sivjetshëm.

Quartararo tani numëron thjesht 6 pikë më pak, ndërkohë me radhë ndjekin Vinales e Dovizioso, gjithsesi kur mbeten edhe katër gara deri në përfundim katër pilotët e kreut ndahen nga vetëm 15 pikë gjithsej. Te markat Yamaha numëron 23 pikë më tepër se Ducati, ndërsa në renditjen ekipore befason Team Suzuki Ecstar në vendin e parë, me vetëm 4 pikë më shumë se Petronas Yamaha, ndërkohë Ducati dhe skuadra zyrtare e Yamaha-s Monster Energy pozicionohen respektivisht 35 dhe 39 pikë larg kreut.

Lajme të tjera

Katar 2022

Lionel Messi rikthehet të flasë për triumfin e Argjentinës së tij në Botërorin Katar 2022. Në një intervistë të gjatë kapiteni i kombëtares albiceleste...

Kategoria Superiore

Vesel Limaj u largua nga Tirana drejt Rumanisë, duke ndërprerë me konsensus marrëdhënien me kampionët e Shqipërisë. Për SuperSport, futbollisti nga Malisheva i lindur...

Featured

Gjatë periudhës së merkatos, janë të shumta mundësitë që një lojtar të ndryshojë klub dhe fanellë. Mirëpo, edhe pse shumë të rrallë, ka nga...

Futboll

Portieri i Yeni Malatyaspor, Ahmet Eyup Turkaslan raportohet mes viktimave që humbën jetët nga tërmeti vdekjeprurës në Turqi. Lajmin tragjik e zyrtarizoi trajneri Yalmaz...