Basketboll

Boston reagim krenarie, barazojnë Miamin në garën e dytë

Boston Celtics me rikthimin e Marcus Smart dhe Al Horford, dominuan Miamin në ndeshjen e dytë të finaleve të Konferencës duke fituar në FTX Arena 127-102 falë një paraqitje shumë të mirë si skuadër në të gjitha aspektet e lojës. Për Heat bëhet fjalë për disfatën e parë në shtëpi në këtë postseason. Celtics ishin të papërmbajtshëm, duke arritur një avantazh që shkoi deri në 34 pikë në periodën e katërt. Skuadra e Ime Udoka, që në këtë play off ka fituar të katërta herët që ka zbritur në fushë pas një disfate, kthehet tani në Boston për të luajtur 2 ndeshjet e radhës të serisë në një gjendje optimale psiko-fizike.

Kushdo që ka ndjekur Celtics në këtë sezon e di mirë se me Marcus Smart dhe Al Horford, Bostoni është tjetër skuadër. Përtej mungesës së rëndësishme të Derrick White, Celtics kishte rikuperuar 2 lojtarë të rëndësishëm dhe impakti i tyre ishte i menjëhershëm, me Miamin që nuk pati asnjë shans. Kjo pasi Boston qeverisi sulmin me qetësi dhe kthjelltësi . Jayson Tatum (24 pikë, 4 rikuperime dhe 5 asiste, dhe Jaylen Brown, (24 pikë dhe 8 rikuperime) recituan rolet 6 e tyre në perfeksion, ashtu si Grant Williams , pothuajse perfekt nga fusha me 19 pikë. MVP i ndeshjes megjithatë ishte Marcus Smart, që ishte shumë pranë numrave dyshifrorë në të gjithë komponentët, me 24 pikë, 12 asiste, 9 kthime të topit dhe 3 rikuperime. Një prezencë totale në parket ajo e tij që demonstron se Smart bën gjithmonë diferencën. Është zemra e skuadrës dhe është e vështirë ta imagjinosh Bostonin pa të.

Heat rezistuan shumë pak në këtë ndeshje, disa zotërime në perdiodën e parë dhe një reagim të ndrojtur në të tretën. Dëmtimi në gjurin e djathtë i PJ Tucker, që e detyroi të qëndronte vetëm 22 minuta mbi parket, bëri që të shuheshin dhe ato pak qartësi të skuadrës së Erik Spoelstra, të dominuar në ndeshjen e dytë aty ku ishin superiore në të parën, cilësinë e ekzekutimit dhe në aspektin fizik. Jimmy Butler me 29 pikë ishte ndër të paktët që ju kundërvunë Boston, duke tentuar të pamundurën për të ndezur përmbysjen. Bëri keq si Bam Adebayo, me vetëm 6 pikë nga 6 goditje nga fusha, ashtu dhe Tyler Herro me 11 pikë. Ishte diçka normale të mendohej një reagim nga Celtics, e madje dhe një fitore të tyre, por jo në këto përmasa. Miami duhet tani të rigjejë veten, mbi të gjitha psikologjikisht, dhe të shkojë në Boston me objektivin për të rimarrë faktorin fushë. Në konferencën për shtyp, Butler ju premtoi të gjithëve se skuadra e tij do të gjejë mënyrën për t’ja dalë.

4 minutat e gjysmë të nisjes së ndeshjes së dytë ishin të firmosura nga Miami Heat. Skuadra e trajnerit Spoelstra krijoi një avantazh prej 10 pikësh (18-8), dhe dukej se do të vazhdonte fluksin pozitiv të ndeshjes së parë. Por Boston u rikthye menjëherë me prepotencë, duke e mbyllur periodën e parë me një rezultat të pjesshëm 27-6. Në periodën e dytë skuadra e Ime Udoka rriti edhe më shumë cilësinë dhe intensitetin e lojës. Avantazhi i tyre shkoi deri në +29 të udhëhequr nga Tatum, me Heat që u zhdukën nga fusha. Në periodën e tretë ishte Butler që me 16 pikë, provoi të drejtonte skuadrën e tij drejt një përmbysjeje të pamundur. Kjo pasi Celtics nuk u shpërqendruan, dhe u përgjigjën menjëherë të udhëhequr nga Smart me 11 pikë të rëndë dhe nga mbrojtja, ndërsa në periodën e katërt erdhi dhe avantazhi 30 pikësh në kuotën 103-73 që sanksionoi shumë kohë para fundit barazimin 1-1 të serisë.

 

 

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency