Thomas Brdariç është personazhi më popullor dhe më i dashur momentalisht në Shkodër, pasi me punën që ka bërë në pankinën e Vllaznisë, ka rikthyer kuqeblutë në nivele të larta dhe pretendentë kryesorë për titullin kampion.
Tekniku gjerman, me origjinë kroate feston sot 46-vjetorin e lindjes, ndërsa tifozët në Shkodër kanë menduar për t’ia bërë edhe më të veçantë ditën trajnerit, duke e uruar me një shkrim në një nga rrugët e Shkodrës.
“Happy Birthday Brdariç” është shkruar në orët e natës në një nga rrugët kryesore të Shkodrës, ndërsa shumë fansa kanë zgjedhur ta urojnë trajnerin në fushën e stërvitjes, ku kanë pozuar dhe i kanë dhuruar lule.
Megjithatë urimin më të mirë trajneri e pret nesër pasdite në fushën e “Loro Boriçit” nga futbollistët e tij, që do të provojnë të marrin fitoren e radhës përballë Katriotit, për të ruajtur diferencën +9 në krye, duke qenë se luhet edhe sfida direkte mes ndjekësve Teutës dhe Partizanit.
