Pas 2 fitoreve bindëse në 2 javët e para të kampionatit, Vllaznia dhuroi spektakël në ndeshjen e 1/8 të Kupës së Shqipërisë, ndaj Elbasanit sfidë të cilën e fitoi 8-0 dhe trajneri Brdaric normalisht iu gëzua suksesit jo vetëm për shifrat por për paraqitjen dhe lojën që zhvilloi skuadra.
“Fituam një ndeshje me rezultat të thellë, takim që e kishim vlerësuar ashtu si duhet, kjo edhe për shkak të surprizave në ndeshjet e djeshme të Kupës. Nuk donim të përballeshim me ndonjë të papritur.Ia dolëm të fitonim dhe të kualifikohemi në turin tjetër të Kupës. Shoh që qyteti i Shkodrës është i kënaqur me atë që po bëjmë, le të shohim përpara edhe në këtë turne. Jam i kënaqur që shënuan të gjithë sulmuesit, kemi punuar shumë në këtë drejtim edhe është e rëndësishme që po shënojmë. Aktivizuam edhe disa lojtarë të stolit, por nuk është se do kemi mundësinë t’u japim të gjithëve minutat e duhura. Tani të fokusohemi te Tirana. Na pret një sfidë e vështirë, por rëndësi ka të bëjmë punën tonë“, deklaroi trajneri gjerman.
