Kategoria Superiore

Bregu zbulon kur do t’i bashkohet Skënderbeut

Ndeshjen e fundit me Luftëtarin, Dejvi Bregu e pa nga stoli, pasi trajneri Kostiç nuk e preferoi sulmuesin vlonjat, për sfidën e kthimit ndaj Ventspilsit.

Ndryshe nga sa u fol, në lidhje me një konfrontim mes të dyve, vetë Bregu shuan hamendësimet, duke thënë se lënia jashtë e tij, ishte vetëm për arsye teknike.

“Nuk është e vërtetë se kam bërë fjalë me trajnerin, por sot nuk kam luajtur, pasi trajneri ka menduar të shikojë lojtarë të tjerë. Kualifikimi ishte vendosur që në Letoni, ku humbëm thellë dhe sot ishte dita ime e fundit te Luftëtari, ndaj është normale që trajneri të shikojë futbollistët e tjerë në fushë”, tha vlonjati.

Bregu do t’i bashkohet Skënderbeut, skuadër që disponon kartonin e tij që nga janari I këtij viti. Sulmuesi pranon se është shumë i emocionuar për këtë aventurë të re dhe shpreh bindjen se Skënderbeu do të vijojë të luftojë për titull.

“Të hënën do të udhëtoj në Korçë, ku besoj se do të bëhet edhe prezantimi zyrtar. Jam shumë i emocionuar dhe mezi pres të filloj këtë eksperiencë të re. Përtej problemeve të kohëve të fundit, Skënderbeu është një skuadër e madhe, me emra gjithashtu të rëndësishëm dhe kam besim se edhe këtë sezon do të luftojmë për titullin kampion”, deklaroi Dejvi Bregu.

To Top