Connect with us

Hi, what are you looking for?

Serie A

Brozo e Lukaku reagojnë pas sherrit, “ngjyrosin” zikaltër derbin e Milanos

U aludua gjatë për një sherr mes tyre në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes me Slavian e Pragës, por Marcelo Brozoviç dhe Romelu Lukaku preferuan të japin përgjigjen e tyre në derbin e Madoninnës, duke shënuar golat që “ngjyrosën zikaltër” qytetin e Milanos.

Interi edhe kështu pas krahëve dështimin në Champions, duke mposhtur Milanin 2-0 në derbi dhe duke regjistruar fitoren e katërt radhazi në po kaq ndeshje të kampionatit, që e mbajnë me meritë në krye të renditjes me 12 pikë të plota.

Në një “San Siro” të mbushur thuajse plot (nuk ishin hapur tribunat që nuk plotësojnë kushtet e sigurisë), koreografia dhe gjithçka ishin spektakolare për një atmosferë derbi, që nisi në mënyrë mjaft miqësore, me futbollistët e dy ekipeve që pozuan bashkë për të dhënë një mesazh kundër racizmit.

Më pas vëmendja u përqendrua në katërkëndëshin e blertë, ku të dy skuadrat nisën të bëjnë atë që munden ta bëjnë më mirë, të luajnë futboll. Ishte Interi i Contes që mori kontrollin e lojës, me presing të lartë që i detyronte lojtarët e Milanit të largonin shpesh topin pa adresë, për të shmangur rrezikun.

Nga ana tjetër, kuqezinjtë e Giampaolit vuanin shumë për të gjetur hapësira në mbrojtjen “bunker” të zikaltërve, teksa kërcënimin e vetëm të rrezikshëm e patën me anë të Susos, që depërtoi deri në zonë, por goditjen e tij e devijoi në këndore Asamoah.

Zikaltrit filluan të kërcënojnë vazhdimisht kuadratin e Donnarummës, por ky i fundit ishte gjithmonë gati për të reaguar, deri në momentin kur Lautaro Martinez shtyu në rrjetë një top të grushtuar prej tij, por arbitri e anuloi për pozicion jashtë loje.

Pjesa e parë përfundoi me barazimin pa gola, ndërsa në dhomat e zhveshjes Conte kishte shkundur të tijtë, që u kthyen me një ritëm krejt tjetër në fushë, duke u hedhur menjëherë në sulm për golin e avantazhit.

Pritja nuk do të zgjaste shumë, pasi në minutën e 49’, ishte Marcelo Brozoviç që u shërbye pranë vijës së zonës së 16 metrave dhe gjuajti menjëherë me të djathtën, ndërsa topi u devijua në këmbët e portugezit Leao dhe shtangu Donnarummën, duke përfunduar në rrjetë.

Pamjet në VAR konfirmuan se goli ishte i rregullt, ndërsa në “San Siro” shpërtheu festa zikaltër, me futbollistët e Contes që zhvendosën lojën në gjysmëfushën kundërshtare dhe filluan një betejë të ashpër me Donnarummën dhe shtyllat e portës së tij.

Reagimi i Milanit ishte i vakët edhe pas zëvendësimeve të Giampaolos, ndërsa në minutën e 78’, në një zbritje të shpejtë nga krahu i djathtë, Barella krosoi saktë për Romelu Lukakun, që i vodhi kohën Romagnolit dhe me kokë mposhti për herë të dytë Donnarummën.

Ky gol “vrau” shpresat e Milanit për të mos dalë të humbur nga derbi, ndërsa në minutat e mbetura Interi tentoi një tjetër gol me Candrevën, por goditja e tij u ndal sërish në shtyllën e portës së Donnarummës dhe sfida përfundoi me rezultatin 2-0.

Dominim total mbrëmjen e sotme për zikaltrit, që përveç dy golave të shënuar dhe një tjetri të anuluar, arritën të godasin dy herë shtyllën, një herë traversën dhe të testojnë disa herë aftësitë e Donnarummës. Shumë pak për Milani, që përveç një rasti të Susos dhe një shtylle të Theo Hernandez, nuk vuri asnjëherë në provë portierin Handanoviç.

Ronaldo ngjit Juven në krye, Kumbulla “skuqet” në minutat shtesë

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

La Liga

Që kur Xavi Hernandez njoftoi se do të largohej nga Barcelona në fund të sezonit, gjërat kanë filluar të shkojnë më mirë te “Blaugrana”....

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...