Gigi Buffon nuk e ka mbyllur ende rrugëtimin e tij të gjatë dhe të suksesshëm në futboll. Edhe pse është 42-vjeç vazhdon të ëndërrojë Championsin me Juven, kështu që ka vendosur ta zgjatë edhe një vit kontratën me “Zonjën e Vjetër”.
Lajmi e jep “Corriere della Sera”, edhe pse palët duhet të ulen dhe ta bëjnë gjithçka zyrtare. Juventusi është ende në garë për trofenë me veshë të mëdhenj dhe, nëse ia del të triumfojë, nuk do të thotë se Gigi do të ndihet përfundimisht i plotësuar në karrierën e tij e do të heqë dorë.
Tek bardhezinjtë po punojnë për një tjetër rinovim, atë të senatorit të mbrojtjes, Giorgio Chiellini. Edhe për të parashikohet një kontratë e re deri në vitin 2022. Firma mund të vijë së shpejti.