Boks

Bushati sqaron incidentin e Shkodrës: Arbitrat vendosën nën presion, Federata të analizojë ngjarjen (Video)

Një njollë e madhe për boksin. Kështu mund të konsiderohet dhuna në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, gjatë kampionatit Kombëtar. Një ngjarje e shëmtuar pas së cilës Presidenti i federatës së Boksit, Florend Kalidhopulli ka njoftuar se do t’i kërkojë Komitetit Ekzekutiv dorëheqjen.

Por çfarë ka ndodhur? Trajneri i Tiranës dhe i ekipit Kombëtar, 10 herë kampion i Shqipërisë si sportist dhe aktualisht pedagog në Universitetin e Sporteve, Sead Bushati, i cili shihet në qendër të pamjeve teksa sulmohet nga tifozët, shpjegon se situata është tensionuar pas një vendimi të dhënë nga juria për sfidën mes boksierit të Tiranës Alban Beqiri dhe Arjan Kajoshit të Vllaznisë në favor të këtij të fundit, një vendim i dhënë me jurinë nën kërcënimet dhe presionin e personave të pranishëm.

“Në momentin që po jepej vendimi i arbitrave për peshën 75 kilogramë, nuk kishte rëndësi se kush do të ishte fituesi, por gjyqtarëve iu bë presion dhe iu dha fitorja sportistit të Vllaznisë. Në atë presion që bëhej te arbitri, ishte e pakuptimtë që aktiviteti të vazhdonte”, deklaroi Bushati.
Trajneri Bushati shpjegon se nuk mund të pranonte penalizimin me një vendim të jurisë, të dhënë nën presionin e hapur të personave prezentë.

“Janë pamjet filmike që konfirmojnë se arbitrat janë kërcënuar dhe madje edhe ata vetë e pranuan se vendosën nën presionin e njerëzve të pranishëm aty”, u shpreh Bushati.

Për Sead Bushatin, për një dekadë kampion i vendit gjatë karrierës së tij si boksier dhe aktualisht po kaq i suksesshëm si trajner, pasi së fundmi i ka sjellë vendit medalje europiane dhe ballkanike me sportistët e tij, është e papranueshme që Federata të lejojë degjenerimin e aktiviteteve kombëtare me jurinë nën presionin e dhunës.

“në momentin që po dilja nga salla, më ofendoi rëndë një person dhe shkova të sqarohem me të, por u godita pabesisht dhe më erdhi keq, pasi është jo burrërore të më ndodhë kështu në qytetin tim”, rrëfen trajneri I Tiranës.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Boksit do të marrë nën shqyrtim çështjen këtë fillim jave dhe trajneri i Tiranës dhe ekipit kombëtar kërkon që ngjarja të analizohet në tërësinë e saj, duke e konsideruar të pamundur që Tirana në atë moment të vazhdonte garën.

“Apeli im është që Federata të shohë çdo gjë me drejtësi, pasi nuk duhet të penalizohet ekipi që u tërhoq nga gara, por të verifikohen kushtet nëse ishte apo jo e mundur të vijohej. Duam të mos na hahet haku”, tha Bushati.

Eventet Sportive në SuperSport

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency