Connect with us

Hi, what are you looking for?

Featured

Bushi: Fokusi i Shpresave është kampionati anglez, ja si i bindim lojtarët

Shqipëria U21 do të mbyllë edicionin eliminator të Europianit me dy sfidat e fundit përballë Anglisë më 7 qershor dhe Kosovës më 113 qershor, ndërsa trajneri Alban Bushi publikoi listën e futbollistëve të ftuar dhe doli në një konferencë për shtyp, ku bëri një analizë të situatës në ekipin Shpresa.

Sa e vështirë është të motivosh lojtarët para dy ndeshjeve pa objektiva?
Për ne nuk ka më shumë rëndësi klasifikimi, sesa loja e bukur dhe dërgimi i lojtarëve në kombëtaren A. Pavarësisht se nuk kemi shanse kualifikimi, motivimi do të jetë shumë i madh, pasi ne rrimë dy muaj e presim për një ndeshje dhe nuk mund të tolerojmë nënvlerësim. Jemi të mobilizuar njësoj si të luanim për kualifikim. E kuptoj që jemi në fund sezoni, por lojtarët tanë nuk janë si Cristiano Ronaldo, që bën 60 ndeshje në sezon dhe ka nevojë për pushim. Lojtarët tanë janë të rinj dhe kanë nevojë për pak pushim e shumë punë. Kam folur me të gjithë dhe ua kam transmetuar rëndësinë e këtij grumbullimi dhe kombëtares.

Ju shqetëson fakti që skuadra pëson shumë gola?
Jam dakord që kemi pësuar shumë gola, por thuajse gjithmonë jemi ndëshkuar nga gabime individuale. Për shembull me Çekinë kemi pësuar 4 gola, nga po kaq gabime individuale, por kjo nuk ka rëndësi, pasi ne kemi fokusin te loja dhe te lojtarët që dërgojmë në skuadrën e parë. Kemi bërë shumë mirë në seleksionimin e lojtarëve për t’i sjellë fillimisht këtu dhe më pas për t’i dërguar në Kombëtaren A. Vetëm së fundi kemi dërguar dy lojtarë si Asllani dhe Broja, që kombëtarja do t’i ketë për 15 vitet e ardhshme.

A keni folur me trajnerin Rreja për futbollistët që ka marrë në stërvitje?
Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me trajnerin e ekipit të parë. E falënderoj sepse mori 7 lojtarë tanët që të stërviten dhe të ruajnë formën. Është shumë i kënaqur me ta dhe mendon se 2-3 mund t’i bëjë pjesë të kombëtares për sezonin tjetër.

A janë këto Shpresat më të mira në historinë e Shqipërisë?
Unë nuk mbaj mend Shqipërinë para 25-30 viteve, por njerëzit pranë kombëtares më konfirmojnë se ky është ekipi më i mirë i Shpresave, që ka dërguar më shumë lojtarë në ekipin e parë. Nuk janë vetëm Broja e Asllani, por thuajse 70% e ekipit të parë, kanë kaluar nga Shpresat dhe këtu kujtoj Vrionin, Kumbullën, Baren, etj. Mendoj që edhe FSHF ka bërë hapa të mëdha në organizimin, gjetjen dhe rritjen e talenteve.

Cilët mund të arrijnë nivelin e Asllanit dhe Brojës?
Duhet të jem pak i kujdesshëm, pasi të gjithë lojtarët janë premtues, por pasi të përfundojë ky sezon, mund të them diçka. Momentalisht ka një lojtar që mendoj se do të bëjë karrierë të shkëlqyer në radhët e mbrojtjes.

A ka nevojë për rinovim edhe te Shpresat?
Aktualisht ne kemi vetëm 7-8 lojtarë që do të jenë në dispozicion edhe për sezonin tjetër, ndërsa pjesa tjetër duhet rinovuar. Megjithatë kemi një listë me lojtarë, ndonëse nuk ka me bollëk. Do të bëjmë maksimumin për të gjetur sa më shumë dhe për të punuar sa më mirë edhe edicionin tjetër.

Do të ketë më shumë nga jashtë apo nga kampionati shqiptar?
Unë kam një listë me lojtarë të datëlindjes 2002, 2003, 2004, të cilët janë shumë cilësorë. Mitaj dhe Bajrami janë dy nga këta, megjithatë janë edhe në listën e Rejës dhe mund të mos i kemi në të ardhmen, pasi mund t’i bashkohen ekipit të parë. Nuk kemi bollëk, pasi jemi edhe popull i vogël, por kemi synim të furnizojmë Rejën me sa më shumë lojtarë, ashtu siç i kemi dhënë tani shumë elementë.

A ka vështirësi për të bindur brezin e ri të rritur jashtë, që të vijnë të luajnë me Shqipërinë?
Kemi një rast të freskët me një lojtar që luan në kategorinë e tretë në Itali, i cili ka thënë se e ndjen veten më shumë italian, ndaj nuk ka pranuar. Ne do të provojmë sërish më vonë për ta afruar, por të shohim a do t’ia dalim. Ka pasur probleme të tilla në raste të veçanta, megjithatë jemi fokusuar në Angli, pasi ka shumë shqiptarë cilësorë të datëlindjes 2005.

Endri Muhameti është një prurje e re. Si arritët ta bindnit?
Ka qenë e thjeshtë, pasi kemi kontaktuar me të dhe prindërit e tij. Është i datëlindjes 2004 dhe ka shumë potencial për të luajtur edhe në ekipin e parë. Duhet të jemi realistë, shanset që kanë për të përfaqësuar Italinë, janë më të pakta sesa ato për të luajtur me Shqipërinë dhe këtë ua shpjegojmë të gjithëve për t’i bindur.

A do të vazhdoni te Shpresat, apo prisni një eksperiencë tjetër?
Ne kemi bërë mirë në dy edicionet e fundit dhe nëse do të kishim pasur edhe Kumbullën e Brojën, do të kishim bërë akoma më mirë. Ëndrra ime është të shkoj në europian me Shqipërinë U21, megjithatë futbolli është i çuditshëm dhe ka nevojë edhe për pak fat, ndaj është e rëndësishme ta shijojmë dhe pas ndeshjes të harrojmë çdo gjë.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...