Kombëtarja U-21

Bushi: Spanjën mund ta përballojmë vetëm me kompaktësi

Trajneri i Shpresës, Alban Bushi, në konferencën për shtyp para përballjes me Spanjën në “Selman Stërmasi”, këmbënguli se 21-vjeçarët kuqezinj duhet të jenë shumë të kujdesshëm në organizimin e lojës mbrojtëse, për të tentuar më pas ndëshkimin nëpërmjet kundërsulmeve të shpejta.

“Të gjitha skuadrat me Spanjën luajnë më të tërhequra. Në Spanjë nuk dolëm shumë herë para, bëmë lojë mbrojtëse, punuam mirë por prapë pësuam tre gola. Në fushën tonë duhet të jemi të kujdesshëm se Spanja po të gjeti të zbuluar të godet shuam rëndë. Shpresojmë të bëjmë lojë të mirë, pse jo edhe marrim rezultat pozitiv. Irlanda e mundi pak ditë më vonë në shtëpi Spanjën, nuk është se kishim shumë diferenca”.

Dëmtimi i Hakajt dhe së fundmi i portierit Selmani e detyron Bushin të bëjë disa zgjedhje emergjente.

“Kemi 6 mbrojtës në ekip, pas dëmtimit të Hakajt  morëm me urgjencë Tolin, do ta fusim të majtë se nuk kemi zgjedhje të tjera. Kur them do të mbrohemi, do të mbrojë edhe sulmuesi, nuk duhet të qëndrojmë larg fushës tonë. Duhet të jemi ekip kompakt, që të mos u lëmë hapësira, dhe ta godasim në kundërsulm. Problem është dëmtimi i Selmanit, e kemi çuar për kontrolle por me shumë mundësi nuk ia del”.

Ashtu si dhe Kombëtarja A edhe te Shpresa mbetet problem mosaktivizimi në vazhdimësi i futbollistëve bë ekipet respektive.

“Tafa e Maloku kanë luajtur pak, por nuk kanë bërë keq. Nëse vë zemrën, zbret në fushë e luan futboll. Por këto janë zgjedhjet, shpresojmë që të bëjnë një lojë të mirë. Mosaktivizimi nuk është vetëm yni si problem, por edhe i ekipit A.”

To Top