Tri ndeshjet e fundit kanë ndryshuar plotësisht situatën për Apoloninë, që jo vetëm mposhti skuadra më lart se ajo në renditje si Kastrioti e Laçi, por gjithashtu në kufirin e kohës ndali dhe një pretendent si Partizani në trasfertë në një barazim 1-1.
Kur Cammarata la Dinamon dhe mori Apoloninë, u cilësua si zgjedhja e papeshuar mirë, për faktin se fierakët përtej kualiteteve, dukej e pamundur që të shpëtonin në një kampionat të ashpër fizikisht dhe deklaratat e trajnerit italian se mund t’ia dilte, u dukën disi të nxituara, por rezultatet duket se po i japin të drejtë.
Me Partizanin, Apolonia nuk kaloi në panik madje edhe kur pësoi në fund dhe më pas guxoi edhe të merrte një pikë, ndërsa ndaj Laçit një fitore 1-0, duke treguar dhe njëherë tjetër kompaktësi në lojë, element që ishte vënë re dhe te Dinamo e Cammaratës, që ishte cinike aq sa duhej për marrjen e pikëve.
Në të dyja ndeshjet e fundit me Partizanin dhe Laçin, në fazën e parë fierakët ishin mposhtur me goleada, ndërsa tanimë situata ka ndryshuar dhe ekipi po shfaq siguri edhe në mbrojtje, dhe sidomos brishtësia në pësimin e golave duket se është hedhur pas krahëve.
Sigurisht që fierakëve në gjithë këto javë loja s’u ka munguar asnjëherë, por ajo që u ka munguar ka qenë ndoshta përvoja në menaxhimin e situatave të ndryshme komplekse gjatë ndeshjes, që duket se është përmirësuar ndjeshëm, siç u vu re dhe ndaj Partizanit e Laçit.
Pavarësisht se kurbinasve iu anulua një gol i rregullt, fakti që Apolonia nuk kaloi në panik pas këtij momenti, ishte treguesi që deri diku gjërat kanë filluar të ndryshojnë për mirë te fierakët dhe shpëtimi nuk duket më aq i pamundur.
