Barcelona thërret dhe tifozeria përgjigjet. Në faqen zyrtare të klubit katalanas nuk ka më bileta për shitje për ndeshjen ndaj Interit, me “Camp Nou”-n që do të jetë një vullkan “blaugrana” mbrëmjen e të mërkurës.
“Të mërkurën ju do të jeni lojtari i 12”, thuhej në thirrjen e klubit menjëherë pas humbjes 1-0 në “San Siro” dhe kaq mjaftoi që në më pak se 48 orë të avullojnë të gjithë biletat për supersfidën e javës së ardhshme.
Thirrja e klubit është e ngjashme me atë të 2010-ës, kur Interi fitoi gjysmëfinalen e parë ndaj Barcelonës me rezultatin 3-1 dhe katalanët bënë apel për “remuntada” në sfidën e kthimit, por atëherë misioni dështoi.
Interi shkon në Barcelonë për dy rezultate, pasi nëse ia del të marrë një barazim, atëherë siguron kualifikimin me një fitore në dy ndeshjet e ardhshme ndaj Slavias së Pragës dhe Bayernit, ndërsa me një fitore, merr direkt biletën që në “Camp Nou”.
Nga ana tjetër, Barcelona është e dënuar të fitojë dhe mundësisht me më shumë se një gol diferencë, për të çuar në favorin e saj bilancin në përballjet direkte mes dy skuadrave.
