Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Casper Ruud përmbys Rublev dhe i afrohet kualifikimit në ATP Finals!

Casper Ruud mundi tenistin rus Andrey Rublev, duke u kualifikuar për në fazën gjysmëfinale të turneut ATP Finals. Viti 2021 përfaqëson padyshim edhe sezonin absolutisht më të suksesshëm për sportistin norvegjez, që e ka filluar tenisin profesionist vetëm në vitin 2015, megjithatë numri 8 në rruzull theu cdo parashikim të mundshëm, duke fituar të drejtën për të hyrë mes katër tenistëve më të mirë të këtij aktiviteti. Tenisti nga Oslo që pas gjashtë javëve do të festojë 23-vjetorin ia doli mbanë për të mundur numrin 5 të botës, duke u kualifikuar kështu për në fazën gjysmëfinale të tetë tenistëve më të mirë të sezonit, që në pjesëmarrjen e tij të parë në ATP Finals.

Tenisti nordik e nisi aventurën e tij me një disfatë në vetëm dy sete me numrin 1 të botës Novak Djokovic dhe më pas Casper Ruud përmbysi disavantazhin e setit hapës, për të mposhtur britanikun Cameron Norrie, që zëvendësoi tenistin grek Stefanos Tsitsipas, ndërsa në krahun tjetër Andrey Rublev që në takimin hapës mundi në thjeshtë dy sete tenistin helen humbi thellë në ndeshjen pasardhëse 6-3, 6-2 me Nolen, që ka triumfuar pesë herë në kompeticionin përmbyllës të tetë më të mirëve të sezonit. Në këtë mënyrë ndeshja ndërmjet tyre u shndërrua në një sfidë të drejtpërdrejtë për një vend në fazën gjysmëfinale të edicionit të 52 të turneut ATP Finals, që duke filluar nga ky sezon e deri në fundin e vitit 2021 do të zhvillohet në veri të Italisë, në Qytetin e Torinos.

Në Pala Alpitour tenisti rus zbriti si favorit, duke pasur parasysh faktin që 24-vjecari moskovit I kishte fituar që të pesta përballjet ndërmjet tyre, madje katër prej këtyre sfidave pikërisht në Hamburg, Kitzbuhel dhe Montecarlo në fushat me dhe, pra pikërisht në sipërfaqen që ka më shumë për zemër sportisti norvegjez. Andrey Rublev që merrte pjesë për të dytin vit radhazi në ATP Finals vazhdoi dominimin e tij në sfidat ndërmjet tyre, duke I rrëmbyer shërbimet dy herë tenistit nordik, për të mbyllur llogaritë e setit të parë në dicka më tepër se gjysmë ore lojë. Në setin pasardhës tenisti moskovit e theu në servis kundërshtarin e tij që në game-n e tretë dhe gjithcka u duk e mbyllur përpara kohe. Në mënyrë të habitshme në disavantazhin e një seti dhe të një game me break Ruud reagoi menjëherë me kundërbreak dhe Rublev filloi të shfaqte shenjat e para të nervozizmit. Tenisti rus pati gjithashtu edhe dy mundësi në game-n e shtatë për të rikthyer epërsinë e një game me break por Casper Ruud reagoi pa humbur kohë për të ruajtur radhën e shërbimeve.

Numri 5 në planet filloi të bënte gabime dhe të shfaqej i pasigurtë e nga kjo gjë përfitoi në maksimum tenisti norvegjez, që mbylli setin në game-n e 12, duke shmangur emocionet e tie break-ut. E njëjta histori u përsërit pak a shumë edhe në setin përcaktues, pasi Rublev e theu në servis në game-n e pestë sportistin nordik, për të kryesuar me shifrat 3-2, sidoqoftë Casper Ruud reagoi përsëri në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u përgjigjur sërish me kundërbreak. Sikur të mos mjaftonte kjo Rublev shpërdoroi edhe një mundësi shumë të mirë në game-n e njëmbëdhjetë, teksa ishte në avantazh, por përsëri Ruud u tregua i akullt, duke kontrolluar nervat për të ruajtur me fanatizëm turin e tij të shërbimit. Ashtu sic edhe pritej gjithcka u shty për në tie break, ku me përjashtim të disavantazhit 2-1 Casper Ruud ishte gjatë gjithë kohës në epërsi.

Përfundimisht numri 8 i botës fitoi krejt takimin me rezultatin 2-6, 7-5, 7-6 në 2h 23’ dhe në këtë mënyrë Casper Ruud u pozicionua në vendin e dytë në Grupin Jeshil, pas tenistit ballkanas Novak Djokovic. Casper Ruud që gjatë vitit 2021 krenohet me pesë turne të fituar në Gjenevë, Bastad, Gstaad, Kitzbuhel dhe San Diego do të përballet në fazën tjetër me numrin 2 të botës, tenistin tjetër moskovit Daniil Medvedev, që është edhe kampioni në fuqi, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër Novak Djokovic do të masë forcat me numrin 3 të botës Alexander Zverev, që nga ana e tij ka triumfuar në ATP Finals në vitin 2018, kur mundi në finalen e madhe në vetëm dy sete pikërisht tenistin e mirënjohur nga Serbia.

Lajme të tjera

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...