Connect with us

Hi, what are you looking for?

Atletikë

Caster Semenya humbi apelin e çështjes së kufizimit të nivelit të testosteronit te atletet femra

Caster Semenya humbi apelin e çështjes së kufizimit të nivelit të testosteronit te atletet femra. 29-vjeçarja nga Afrika e Jugut humbi apelin në Gjykatën e Lartë Federale të Zvicrës, në lidhje me limitimin e nivelit të testosteronit te femrat, përsa i përket sportit të atletikës.

Atletes nga Pietersburgu nuk i lejohet për të marrë pjesë në garat që shtrihen nga konkurrimi në 400 metra deri te gara e miljes, që e konvertuar është e barabartë me një distancë prej 1.609 metrash, nëse nuk pranon për të marrë lloje ilaçesh të përcaktuara qartë nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës, që shërbejnë pikërisht për të ulur ndjeshëm nivelin e testosteronit te atletet femra.

Një rregull i ndryshuar në mënyrë të qartë nga IAAF-i dhe tashmë i aprovuar, që ka hyrë në fuqi që në vitin 2019, rregull që në fakt është kundërshtuar me forcë gjatë gjithë kohës nga atletja e famshme jug – afrikane. Pas humbjes së apelit në Gjykatën e Lartë Federale të Zvicrës Semenya u shfaq tepër e zhgënjyer. 29-vjeçarja deklaroi se do të vazhdojë të refuzojë me forcë marrjen e këtyre ilaçeve dhe atletja tepër e diskutuar nga Afrika e Jugut tha se nuk do t’i lejojë aspak drejtuesit e Federatës Botërore të Atletikës për ta ndaluar së qeni ajo që është.

Drejtuesit e IAAF-it të shtrënguar edhe nga presionet e shumta të sportisteve të tjera morën vendimin për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij problemi, duke përcaktuar një rregull të qartë në lidhje me atletet që kanë diferenca përsa i përket zhvillimit seksual. Në këtë mënyrë edhe drejtuesit e Federatës Amatore Ndërkombëtare të Atletikës vendosën që atletet që kanë diferenca përsa i përket zhvillimit seksual duhet t’i nënshtroheshin patjetër mjekimeve, për të kufizuar nivelin e testosteronit, në mënyrë që t’iu mundësohej edhe pjesëmarrja nëpër garat e ndryshme që shtrihen nga disiplina e 400 metrave deri te gara e miljes, përndryshe atletet me këtë lloj veçorie do të jenë të shtrënguara për të ndryshuar domosdoshmërisht garë dhe të kalojnë në një distancë tjetër.

Sipas drejtuesve të IAAF-it atletet që kanë diferenca përsa i përket zhvillimit seksual kanë avantazhe të mëdha gjatë garimit, për shkak të nivelit të lartë të testosteronit natyral. Semenya këmbënguli se përjashtimi I atleteve, apo qoftë edhe rrezikimi i shëndetit të tyre, thjesht për shkak të aftësive natyrale, e vendos Federatën Ndërkombëtare të Atletikës në krahun e gabuar të kësaj historie.

Atletja e mirënjohur afrikano – jugore shpjegoi se do të vazhdojë të luftojë me të gjitha forcat për të drejtat e atleteve femra, si në pistë ashtu edhe jashtë saj. Semenya qartësoi se nuk ka ndër mend të ndalet në përpjekjet e saj, derisa të gjitha atletet të lejohen për të garuar të lira dhe në formë të pakushtëzuar, pikërisht sipas mënyrës se si kanë lindur. 29-vjeçarja tha se e kupton shumë mirë se çfarë është e drejtë dhe ajo premtoi se do të bëjë çmos për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut, për të gjitha vajzat e reja kudo që ndodhen.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë nuk e pranoi kërkesën e Semenya-s për të hedhur poshtë një rregull të tillë që vitin e shkuar, megjithëse për hir të së vërtetës Gjykata e Lartë Federale e Zvicrës e pezulloi përkohësisht këtë vendim, për ta prapësuar më pas po vetë, pas vetëm pak kohësh. Atletja nga Afrika e Jugut ka fituar medaljen e artë në garën e 800 metrave si në Olimpiadën e Londrës ashtu edhe në atë të Rio de Janeiro-s, por me një ndryshim të tillë rrënjësor të rregullores, në lidhje me atletet që kanë diferenca përsa i përket zhvillimit seksual, Caster Semenya humbi mundësinë për të mbrojtur titullin në këtë disiplinë, pikërisht në kampionatin botëror të “mbretëreshës së sporteve”, që u zhvillua vitin e kaluar në Doha, pasi dështoi për të bindur drejtuesit, që të mos ta ndryshonin rregulloren për atletet me veçori të tilla.

Aktualisht Caster Semenya është duke i marrë parasysh që të gjitha mundësitë që ka në dispozicion, si në arenën ndërkombëtare ashtu edhe në Afrikën e Jugut. Ndërkohë kanë reaguar edhe vetë drejtuesit e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, që kanë theksuar se IAAF-i ka luftuar dhe do të vazhdojë të përpiqet për të bërë më të mirën, për të mbrojtur të drejtat e vajzave apo atleteve, duke këmbëngulur kështu në respektimin e të drejtave dhe mundësive të barabarta, në “mbretëreshën e sporteve”.

Krerët e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës u shfaqën të kënaqur dhe deklaruan se edhe vetë vendimi përfundimtar i Gjykatës së Lartë Federale të Zvicrës iu jep të drejtë dhe konfirmon padyshim përpjekjet e tyre të mëdha për të vendosur barazi dhe për të garuar në mënyrë të drejtë në këtë sport. Gjykata e Lartë Federale e Zvicrës shpjegoi se barazia është gjëja themelore në sport dhe shërben për të përcaktuar edhe bazat e shëndosha për një konkurrim sa më të drejtë dhe të ndershëm.

Me këtë ndryshim në rregullore caster Semenya nuk do të mund të mbrojë dot titullin e saj olimpik në garën e 800 metrave në Olimpiadën e Tokios, që do të mbahet në kryeqytetin japonez vitin e ardhshëm. Gjatë muajit mars Semenya deklaroi se në Tokio do të garonte gjithashtu edhe në garën e 200 metrave, distancë për të cilën 29-vjeçarja nuk është e shtrënguar patjetër për të marrë ilaçe. Për t’u kualifikuar Caster Semenya do të duhet të kapë kohën 22”80, në një kohë kur rekordin e saj personal në atë disiplinë ajo e ka 24”26. Përveç dy titujve olimpikë 29-vjeçarja nga Afrika e Jugut është kurorëzuar gjithashtu edhe me tre tituj të tjerë, në botërorët e zhvilluar në Berlin, Daegu dhe Londër, respektivisht në vitet 2009, 2011 e 2017.

Lajme të tjera

Futboll

Skuadra e Mechelen, e drejtuar nga Besnik Hasi, rikthehet tek fitorja në kampionat belg në play off-in e grupit të Conference League. Pas humbjes...

Futboll

Fernando Santos nuk është më trajner i Beshiktashit, ka bërë të ditur klubi nga Stambolli këtë të shtunë. Vendimi u mor pas barazimit (1-1)...

La Liga

Që kur Xavi Hernandez njoftoi se do të largohej nga Barcelona në fund të sezonit, gjërat kanë filluar të shkojnë më mirë te “Blaugrana”....

Kosovë

Gafë e pafalshme e Arijanet Muric në Premier League. Portieri titullar i Kosovës, pjesë e Burnleyt në kampionatin më të bukur në botë, i...