Një kapiten i vërtetë. Gentian Cela për Lushnjen ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një futbollist ikonë, njeriu simbol i verdhëjeshilëve gjatë 2 dekadave të fundit. Në këto 17 vite ai ka luajtur për plot 14 sezone me Lushnjen skuadrën e vendilindjes së tij. Vitet kalojnë dhe tashmë Cela është në fundin e karrierës së tij, por 36-vjecari nuk kishte ndërmend të largohej pa luajtur edhe për një tjetër sezon me myzeqarët në elitën e futbollit shqiptar. Edhe pse nuk e konsideron më një titullar fiks për shkak të moshës, trajneri Bano e vlerëson jashtëzanokisht Celën ndërsa vetë mesfushori është gati të ndihmojë Lushnjen në Superiore me eksperiencën e tij.
Për Gentian Celën Lushnja në Superiore do të jetë një kundërshtar i vështirë për tu kaluar jo vetëm nga skuadrat që do të luftojnë për mbijetesë por edhe për ekipet që do të garojnë për titullin kampion.
36-vjecari është i bindur se tifozeria e zjarrtë lushnjare do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm që Lushnja të bëjë një figurë të mirë në këtë sezon, ndërsa në aspektin personal Cela shpreson që të luajë sa më shumë.
