Cesc Fabregas nuk ka ndërmend ta mbyllë me futbollin e luajtur. Pasi mbylli aventurën me Monacon, mesfushori spanjoll ka vendosur të provojë një aventurë në Itali, pasi ka firmosur me klubin e Comos, që militon në Serinë B.
Lajmin e ka bërë të ditur Sky Sport, që raportoi se 35-vjeçari i ka surprizuar të gjithë me vendimin për t’u bashkuar me klubin e Serisë B, ndonëse kishte oferta nga skuadra të ndryshme europiane.
Cesc Fabregas ka një karrierë për t’u admiruar, pasi ka luajtur për klube si Arsenal, Barcelona, Chelsea, etj., duke fituar shumë, përfshi edhe një Kupë Bote me Spanjën në vitin 2010.
Në fillim të verës mesfushorit i përfundoi kontrata me Monacon dhe doli lojtar i lirë, por premtoi se do të vijojë ende me futbollin, teksa sezonin e ardhshëm pritet të rritë ndjeshëm edhe popullaritetin e Serisë B.
