Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kupa e Italisë

Çfarë rivaliteti në Atalanta-Lazio, Etrit Berisha, “muri” që mund të ndalë Juven

Atalanta dhe Lazio çelin serinë e përballjeve ndërmjet tyre për vitin 2021 me një duel të drejtpërdrejtë në fazën çerekfinale të Kupës së Italisë. Në fakt bëhet fjalë për dy sfida në harkun e vetëm pesë ditëve, e që të dyja në Bergamo.

Fillimisht skuadra e drejtuar nga trajneri Gian Piero Gasperini do të presë në shtëpi, në orën 17:45 bardhekaltrit në një ndeshje teke, të vlefshme për çerekfinalen e dytë, të edicionit të 74-t të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Apenine në rang klubesh, ndërsa katër ditë më vonë zikaltrit do të masin forcat po në “Gewiss Stadium” me ekipin e drejtuar nga trajneri Simone Inzaghi, në javën e parë të fazës së dytë të kampionatit italian.

Ndeshjet ndërmjet këtyre dy klubeve janë shndërruar në sfida vërtet spektakolare, duke prodhuar plot 16 gola në 3 takimet e fundit. Skuadra e Atalantës ka fituar 4 nga 6 përballjet e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave në të gjitha kompeticionet, megjithatë të vetmin sukses gjatë kësaj periudhe bardhekaltrit e kanë regjistruar pikërisht në përballjen e tyre më të rëndësishme, në finalen e Kupës së Italisë, në mesin e majit të vitit 2019, në stadiumin “Olimpico” të Romës, kur ekipi i Lazios shënoi dy herë në 8’ e fundit të ndeshjes, për t’u kurorëzuar edhe me trofeun e shtatë në këtë aktivitet, duke u barazuar kështu në vendin e tretë, në librin e artë të këtij kompeticioni, me klubin e Interit.

Më shumë kanë fituar vetëm Juventusi dhe Roma, që kryesojnë respektivisht me nga 13 dhe 9 Kupa Italie, ndërkohë në krahun tjetër klubi i Atalantës vazhdon të krenohet me kupën e vetme të vitit 1963, sepse në vijim zikaltrit kanë humbur me radhë tre finalet e zhvilluara ndaj kundërshtarëve të tillë si Napoli, Fiorentina dhe pikërisht Lazio.

Të dy klubet pozicionohen në pjesën e sipërme të shortit, ku fituesi i këtij dueli do të duhet të presë mbrëmjen e së enjtes, për të mësuar emrin e ekipit kundërshtar, që do të dalë nga takimi tjetër Napoli – Spezia. Të dy ekipet ndahen nga thjesht 2 pikë në klasifikimin e përgjithshëm, të Serisë A dhe pas përfundimit të fazës së parë Atalanta mban vendin e pestë, ndërsa Lazio renditet në pozicionin e shtatë, gjithsesi të dyja skuadrat po kalojnë një formë të mirë dhe do të zbresin në fushë pas ecurive pozitive respektive.

Kështu fundjavën e kaluar ekipi i Gasperinit mundi thellë kuqezinjtë e Milanit brenda në “Giuseppe Meazza”, ndërsa Lazio përmbysi disavantazhin ndaj Sassuolos në “Qytetin e Përjetshëm”, ndërkohë përsa i përket ecurisë Atalanta numëron 13 ndeshje në të gjithë kompeticionet pa humbje, ndërsa Lazio do të zbresë në fushën e Bergamos pas plot 5 fitoreve rresht në të gjithë aktivitetet.

Për të mbërritur deri këtu dy ekipet shfrytëzuan favorin e faktorit fushë. Në këtë mënyrë Atalanta mposhti Cagliarin në Bergamo 3-1, ndërsa Lazio u kualifikua vetëm pas suksesit 2-1 dhe autogolit të portierit të Parmës Simone Colombi, në minutën e fundit të ndeshjes.

Të dy klubet i pret një kalendar vërtet shumë i ngjeshur, duke patur parasysh edhe impenjimet e tyre në Champions, ku Lacio do të sfidojë kampionët në fuqi të Bajernit të Mynihut, ndërsa Atalanta do të masë forcat me Realin e Madridit, kështu që mbetet për t’u parë se ç’zgjedhje do të bëjnë trajnerët Gasperini dhe Simone Inzaghi, në përballjen e dyfishtë ndërmjet tyre, për më tepër me dy takimet kaq pranë, gjithsesi sikur të mos mjaftonte avantazhi i faktorit fushë Atalanta ka në krah gjiathshtu edhe statistikat, pasi Lazio ka fituar vetëm 1 nga 8 sfidat e fundit me klubin bergamask, në të gjithë kompeticionet.

Në pjesën e poshtme të shortit në orën 20:45 Juventusi do të presë SPAL-in në Torino dhe rekordmenët e këtij aktiviteti nuk pritet që të hasin shumë vështirësi për t’u kualifikuar për në fazën gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Klubi nga Ferrara përfaqëson edhe ekipin e vetëm jashtë Serisë A dhe ekipi i drejtuar nga trajneri Pasquale Marino e mbylli fazën e parë në Serinë B brenda zonës play off, vetëm 5 pikë larg Empolit kryesues.

Do të mungojë Paolo Dybala, që humbi 11-metërshin përcaktues në finalen e fundit me Napolin pas gjuajtjeve të penalltive, sidoqoftë bardhezinjtë kanë fituar 13 nga 19 finalet e zhvilluara në këtë kompeticion, ndërsa në krahun tjetër Klubi i SPAL-it, ku aktiviziohet edhe portieri i përfaqësueses kuqezi Etrit Berisha, krenohet në Kupën e Italisë me finalen e humbur në vitin e largët 1962 me ekipin e Napolit.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...