Bernard Challandes merr përgjegjësitë për humbjen e Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut, por nuk mendon se duhet ta mbyllë në këtë moment me “Dardanët”. Trajneri helvet pas ndeshjes, deklaroi:
A jam i duhuri për të vazhduar me Kosovën? Po. Në fillim kam thënë se kemi gjasa për play-off dhe askush nuk më ka besuar. Ju lutem, mos harroni, nuk ishte e lehtë për skuadrën tonë dhe unë jam shumë i zhgënjyer dhe e marr gjithë përgjegjësinë, unë jam trajneri. Kam pasur shumë kënaqësi gjatë rrugës me këtë ekip, jam pjesë e këtij ekipi dhe jam i gatshëm për të ardhmen, s’kam asnjë dyshim”.
Sa i përket analizës së ndeshjes, 69-vjeçari u shpreh:
“Goli i parë ishte i pafat për nga mënyra se si e pësuam, por ky është futbolli, duhet të jetojmë me këtë situatë. Goli i dytë ishte një vendosje mjaft e mirë e kundërshtarit në zonë, është një gol normal, që e shohim shpesh në futboll. Kemi zhvilluar një pjesë të parë të mirë, kemi luajtur futboll në një ndeshje shumë të vështirë. Pas pjesës së parë, ishte vërtet e vështirë për ne, por jemi munduar të provokonim kundërshtarin me lojë sulmuese, por nuk ia dolëm, pasi kemi humbur paksa në organizim të lojës.
Ata ishin skuadër agresive dhe u kemi dhënë shumë mundësi për kundërsulme dhe në fund duhet të themi se duhet ta pranojmë këtë humbje, sepse ata kanë luajtur pak më mirë se Kosova”.
