Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Challandes: Muriç theu disiplinën, objektivi ynë është të bëjmë progres

Përfaqësuesja e Kosovës është grumbulluar në Prishtinë për eliminatoret e Botërorit Katar 2022, megjithatë më parë duhet të mendojë për miqësoren e nesërme ndaj Lituanisë, në stadiumin “Fadil Vokrri” të kryeqytetit.

Trajneri zviceran Bernard Challandes doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku vuri theksin te rëndësia e ndeshjes së nesërme, por shmangu komentet për përjashtimin e portierit Muriç dhe për objektivat e “Dardanëve”.

Sa e rëndësishme është kjo miqësore me Lituaninë?
Jemi në prag të një fushate eliminatore dhe kemi një miqësore ndaj Lituanisë, që është mjaft e rëndësishme., Vjen në një kohë të mirë, pasi bëhet fjalë për një kundërshtar të fortë dhe përballja me të është mjaft e rëndësishme si për mua, ashtu edhe për futbollistët. Duam të shohim ku jemi dhe të bëjmë një paraqitje sa më të mirë ndaj Lituanisë.

Si është situata me Rrahmanin? A ka shanse që të luajë?
Është e pamundur që ai të luajë në ndeshjen e nesërme, por ishte shumë e rëndësishme fakti që ai erdhi në këtë grumbullim. Kemi pasur kontakt të ngushtë me stafin mjekësor të Napolit dhe po monitorojmë me kujdes rikuperimin e tij. Shpresoj shumë që ta kemi të paktën në ndeshjen e tretë ndaj Spanjës, por do të jetë e vështirë që t’ia dalë të rikuperohet në kohë.

Çfarë ka ndodhur me Muriç, pasi është raportuar për një sherr me Zhegrovën?
Lajmi për një sherr mes të dyve është totalisht i rremë. Sa i përket pjesës tjetër, ne kemi marrë një vendim që e kemi publikuar dhe ajo është një çështje e mbyllur. Bëhet fjalë për një çështje disiplinore, por nuk dua të jap detaje, pasi do të ishte mungesë respekti edhe për futbollistin. Ne tani kemi marrë vendimin tonë dhe vazhdojmë përgatitjen e ndeshjes. Edhe vende të tjera kanë pasur probleme të ngjashme, por gjithçka mbyllet pas vendimit të marrë.

Deri ku mund të shkojë Kosova në këto eliminatore?
Jemi në fillim të një faze eliminatore dhe natyrisht që gjithçka do të jetë e vështirë, duke parë edhe grupin që kemi. Nëse ju them që do të shkojmë në Katar, ju do të qeshni, por nëse ju them që nuk kemi shanse, atëherë unë jam një trajner i keq. Ndaj më mirë të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, me synimin për të bërë sa më mirë. Unë jam këtu për të përmirësuar lojën e skuadrës dhe për të bërë progres. Ky është qëllimi im dhe për këtë punoj, pasi vetëm më vonë mund të arrijmë edhe rezultate konkrete. Kemi pasur periudha të mira, por më pas kemi pasur edhe rënie, ndaj duhet të shohim përpara dhe të bëjmë progres.

Valon Behrami ka deklaruar për ju se jeni një motivues shumë i mirë, por nuk e ndihmoni sa duhet Kosovën që të rritet taktikisht…
Do të ishte mirë që ai të mi thoshte të gjitha këto në sy, por është mendimi i tij dhe nuk kam asnjë koment. Unë kam qenë trajner i Valonit te Zvicra U21, por ndoshta gjatë këtyre viteve kam mësuar diçka më shumë dhe jam përmirësuar. Këtu në krah keni një Valon tjetër, që ka pasur shumë trajnerë të mirë në karrierë dhe mund të bëjë një krahasim.

A e ka penalizuar Dakun fakti që luan në Superligën e Kosovës?
Nuk ka lidhje me nivelin e kampionatit, por me konkurrencën që ka në grup. Ai ka qenë me ne në nëntor dhe më pas unë e kam ndjekur edhe nga afër në 2-3 ndeshje, por mendoj se nuk është gati të jetë pjesë e jona në këtë grumbullim. Sigurisht që është i ri dhe do të jetë pjesë e jona në të ardhmen, nëse vijon të punojë mirë, por mua më duhet të zgjedh dhe mendoj se për këtë grumbullim kam marrë më të mirët.

Si e keni menduar të neutralizoni një sulmues si Zlatan Ibrahimovic, që është rikthyer te Suedia?
Do të ishte mirë të kishim Rrahmanin, pasi pjesa tjetër nëse luajmë me dy apo me tre mbrapa, nuk kanë shumë rëndësi. Megjithatë Ibra është një lojtar shumë i fortë, por Suedia ka shumë futbollistë të mirë dhe është e rrezikshme edhe pa të në fushë. Nuk mund të mendojmë vetëm për të, pasi ata kanë edhe lojtarë si Berg, Forsberg apo Kulusevski, ndaj ne duhet të mendojmë ta përballojmë Suedinë si ekip, jo Ibrën si individ.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...