Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Challandes sqaron çështjen Kastrati: Askujt nuk i garantoj minuta!

Trajneri i Kosovës Bernard Challandes doli sot në konferencën për shtyp, ku foli për ndeshjet që “Dardanët” do të luajnë përballë Anglisë dhe Republikës Çeke, në kuadër të eliminatoreve të Euro 2020-ës.

Tekniku zviceran pranoi vështirësitë e krijuara për shkak të dëmtimeve të 4-5 titullarëve dhe minutave të pakta të disa futbollistëve të tjerë, ndërsa nuk ngurroi të sqarojë njëherë e mirë edhe çështjen e krijuar mbi mungesën një grumbullim të Lirim Kastratit.

Si vjen skuadra në prag të dy ndeshjeve eliminatore?
Javën e ardhshme kemi dy ndeshje mjaft interesante, përballë dy kundërshtarëve shumë të fortë dhe fatkeqësisht kemi disa lojtarë të rëndësishëm që mungojnë për shkak dëmtimesh, por unë si trajner jam i detyruar ta pranoj këtë situatë. Nëse Franca luan pa Mbappe, Griezmann, Kante e Pogba, nuk është e njëjta situatë dhe natyrisht që kjo vlen edhe për Kosovën, sepse na mungojnë 5 futbollistë dhe do kemi probleme. Unë mund të qaj, mund të ankohem për lojtarët që mungojnë, por duhet të mendoj për të gjetur zgjidhje për situatën ku jemi. Është e vështirë të gjesh zëvendësues një për një për këta futbollistë, por mendoj se zgjidhjen duhet ta gjejmë te kolektivi dhe të reagojmë si ekip, për t’ia dalë me sukses. Ne duhet të jemi shumë kompaktë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në mentalitet, ku duhet të tregojmë një karakter luftarak dhe një kokë të fortë. Është puna ime që të provokoj disi futbollistët që do të kenë shansin të luajnë kundër njërit prej ekipeve më të mira në botë si Anglia dhe një skuadre tjetër si Republika Çeke. I kam studiuar të dy skuadrat, por tani veçanërisht çekët, pasi ata janë fokusi ynë momentalisht. Bëjnë shumë presing dhe kanë një tranzicion mjaft të shpejtë dhe të saktë, gjë që po t’i shtosh edhe futbollistët e fortë fizikisht dhe të gjatë, bëhet edhe më e komplikuar për mua.

A do të ndikojnë mungesat për të bërë ndryshime edhe sa i përket mënyrës së lojës te Kosova?
Jo, nuk do të ndryshoj sistemin e lojës dhe filozofinë. Ne kemi pasur sukses me këtë mënyrë loje dhe filozofi, ndaj është shumë e rëndësishme që të ruajmë dhe ta çojmë përpara këtë, por luajmë kundër dy kundërshtarëve të fortë dhe nëse unë them që do të luajmë në sulm kundër Anglisë, nuk do të jetë aspak e lehtë për ta bërë këtë, pasi kundërshtari e mban shumë topin dhe pa top nuk sulmon dot. Megjithatë nuk do të ndryshojmë filozofinë dhe sistemin e lojës.

Sa i rëndësishëm është rikthimi i Valon Berishës në ekip?
Berisha është një futbollist mjaft i rëndësishëm në ekip dhe ka pasur një kohë të vështirë për shkak të dëmtimeve, por tani ka bërë një përgatitje të mirë dhe shpresoj që mund të sjellë diçka të mirë për ekipin. Dua të shoh veçanërisht si do të stërvitet këtë javë dhe më pas do të marr vendimet. Megjithatë Valoni mbetet një futbollist shumë i mirë për ne dhe jam i lumtur që e kemi në skuadër.

Lirim Kastrati është në një formë shumë të mirë. Pse nuk është ftuar në Përfaqësuese?
Unë bëra listën 10 ditë më parë dhe aty ishte edhe emri i Lirim Kastratit. Këtë herë situata e Rashicës dhe Kolollit nuk ishte e qartë nëse do të vinin apo jo, ndaj unë fola me Lirimin dhe i thashë të vinte të stërvitej nga e hëna në të premte dhe më pas të vendosnim nëse do të luante me ne apo do të kthehej për të marrë minuta me Kosovën U21, që gjithashtu ka një ndeshje shumë të rëndësishme përballë Anglisë. Ishte e qartë për mua dhe një zgjidhje e mirë për të, por këtë javë unë mora një telefonatë nga agjenti, i cili më tha se nuk ishin të lumtur me këtë zgjidhje dhe se donin garanci për minutat e lojës, ose ai nuk do të vijë. Unë nuk garantoj kurrë minuta për një futbollist, qoftë ky Valon Berisha, Ujkani apo ndonjë i ri. Jemi në përfaqësuese dhe një futbollist duhet të pranojë ftesën për të qenë i gatshëm, sepse më pas është vendimi im nëse do të luajë apo jo. Në fund Lirim Kastrati zgjodhi dhe vendosi të luajë për Kosovën U21, ku unë shpresoj që të bëjë një ndeshje shumë të mirë, ndonëse nuk jam i sigurt nëse bëri zgjidhjen e duhur. Respektoj vendimin e tij, pasi çdo njeri mban përgjegjësi për atë që bën. Për të ardhmen nuk mund të them asgjë, pasi ky futbollist e ka pasur mundësinë, ndaj më shumë nuk dua të polemizoj me këtë rast.

Si është forma e futbollistëve që janë grumbulluar? A janë ata gati për këto ndeshje?
Unë kam çdo lloj informacioni mbi të gjithë lojtarët, pasi është puna ime. Nuk jemi në momentin më të mirë, pasi disa futbollistë nuk kanë luajtur shumë dhe disa të tjerë janë akoma pa skuadër dhe mund të firmosin një kontratë edhe nesër. Lajm i mirë është që kemi disa lojtarë të rinj si Muslia e Dreshevic, që kanë luajtur rregullisht dhe kanë treguar një formë mjaft të mirë gjatë javëve të fundit. Megjithatë gjatë javës do të vlerësojmë nga afër formën e çdo futbollisti, për të marrë edhe masat tona për ndeshjen.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...