Cesc Fabregas luajti me shumë mundësi ndeshjen e tij të fundit jo vetëm me fanellën e Chelsea-t por edhe në futbollin anglez. Mesfushori spanjoll u përshëndet me ovacione në “Stamford Bridge” në ndeshjen e raundit të tretë të FA Cup kundër Nottingham Forest, që u fitua 2-0 nga blutë e Londrës.
Fabregas, i cili mbante shiritin e kapitenit në këtë sfidë, humbi një 11-metërsh në pjesën e parë, gjithsesi skuadra e Sarrit arriti të realizonte dy gola me të njëjtin autor, spanjollin tjetër Alvaro Morata.
6 minuta para fundit Fabregas u zëvendësua. Pikërisht në këtë moment ai përqafoi shokët e skuadrës David Luiz dhe Eden Hazard dhe mezi i përmbajti lotët. Publiku i “Stamford Bridge” shpërtheu në duartrokitje për kontributin që ka dhënë mesfushori për këtë skuadër.
Fabregas pritet të transferohet në Francë te Monaco, që drejtohet nga ish-shoku i tij i skuadrës tek Arsenali, Tierry Henry.