Eraldo Çinari është shndërruar në njeriun e Kupës për Partizanin. 21-vjeçari shkodran në dy ndeshjet ndaj Tërbunit realizoi tre herë për të kuqtë duke treguar se ka hedhur pas krahëve dhe momentin e vështirë pas dëmtimit.
Për një lojtar që si objektiv ka gjetjen e portës, shënimi i një goli është gjithmonë i rëndësishëm, sepse e çliron psikologjikisht dhe i jep trajnerit sinjale edhe për aktivizimin e tij më të shpeshtë, siç shpreson edhe vetë Çinari.
“Për çdo sulmues, gjetja e golit është mjaft e rëndësishme pasi të ndihmon psikologjikisht. Shpresoj të kem më shumë minuta dhe të vijoj me këto ritme edhe në kampionat”, u shpreh sulmuesi shkodran.
Këtë të premte, Çinari do të jetë për herë të parë pjesë e derbit të kryeqytetit, një sfidë që 21-vjeçari e ka parë gjithmonë si spektator, por emocionet e së cilës pret me padurim t’i përjetojë tashmë nga afër.
“Kur isha te Vllaznia kam luajtur kundër të dyjave, por tani dua të përjetoj ndjesitë e të luajturit në një derbi. Dua shumë që të luaj në fushë, por mbi të gjitha që të marrim edhe fitoren”, deklaroi Eraldo Çinari.
