Bundesliga

Coman do një tjetër Champions, Kahn: Stadiumet mbushen për lojtarë si Kingsley

Kingsley Coman firmosi sot kontratën e re me Bayern Munchen. Sulmuesi anësor do të jetë pjesë e rekordmenëve të futbollit gjerman deri në verën e vitit 2027, teksa ka pësuar një rritje të ndjeshme edhe rroga e tij.

25-vjeçari francez nuk e fshehu lumturinë pas firmës mbi kontratën e re. Deri tani ka fituar 17 trofe me skuadrën bavareze, por Coman kërkon të fitojë përsëri Champions League me ekipin nga Mynihu.

Jam shumë i lumtur, sepse Bayerni është një nga klubet më të mëdha në botë. Na presin objektiva të mëdha për të arritur. Jam pjesë e Bayernit prej vitit 2015, mund të them që jemi një familje e madhe.

Gjithçka është perfektë. Kam përpara vitet më të mira si futbollist, më vjen mirë që do i kaloj ato këtu. Objektivi im më i madh është të fitoj sërish Champions League”, deklaroi Coman.

Sulmuesi i majtë fitoi për herë të parë turneun më të rëndësishëm për klube në vitin 2020, madje ishte ai që realizoi golin vendimtar në fitoren 1-0 që Bayerni arriti përballë PSG-së.

I kënaqur për rinovimin u shfaq edhe Oliver Kahn. CEO i Bayern Munchen ka një simpati të madhe për lojtarin ofensiv dhe komentoi rinovimin me të. “Të gjithë klubet e botës kërkojnë të kenë lojtarë me cilësitë e Coman.

Kjo zgjatje e kontratës është një shembull tjetër se sa i rëndësishëm është klubi ynë në arenën ndërkombëtare. Kingsley identifikohet plotësisht me Bayern Munchen, ai ka gjetur këtu shtëpinë e tij sportive.

Në ditët e sotme, lojtarët më të fortë janë shumë të kujdesshëm në lidhje me rinovimet e kontratave. Jemi krenarë që Kingsley firmosi një kontratë të gjatë me ne.

Ai është një futbollist që kur është në ditën e tij më të mirë, tifozët zbaviten shumë duke e parë në fushë. Tifozët vijnë në stadium për të parë këta lloj lojtarësh”, deklaroi drejtuesi i Bayernit.

Quiz/ Sa mirë e kujtoni vitin 2021 në futboll?

Kliko për të komentuar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Fundit

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency